E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti, Xhafaj: Vlerësim pozitiv për draftin e PD

TIRANE - Pas propozimeve të mazhorancës për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, njëherazi nënkryetari i komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, tha dje në një prononcim për “Albanian Screen” se iniciativa e fundit e Partisë Demokratike është në të njëjtën linjë me atë të propozuar nga socialistët kohë më parë duke lënë të nënkuptohet se PS mund të japë konsensus për këto ndryshime. 

Sipas Xhafës qëndrimi konkret i Partisë Socialiste për heqjen e imunitetit nëpërmjet rrugës kushtetuese, bie ndesh me deklaratat politike të Partisë Demokratike, të cilët mesa duket kanë reflektuar mbi propozimet e tyre. “Propozimi i sjell tashmë nga PD është një propozim që shkon në linjën e propozimit të PS, është një reflektim pozitiv që duhet vlerësuar pozitivisht”, - deklaroi Xhafaj. 

Për këtë grupi socialist ka gati draftin ndërsa deklaratave të eksponentëve të tjerë politikë se këto ndryshime duhet të përmbyllen brenda këtij sesioni, për Xhafën mbeten hipokrizi. Kjo pasi sipas tij amendimet blic të vitit 2008 u kritikuan ashpër nga ndërkombëtarët ndërsa amendimi i ligjit themeltar të shtetit kërkon një proces më të gjerë diskutimesh.

 “Ndryshimet kushtetuese nuk mund të jenë përmes një procedure të zakonshme, që do të thotë që këto ndryshime duhet të marrin pëlqimin në radhë të parë të popullit. Përfshirja e grupeve të interesit të shoqërisë civile është gjithashtu shumë e rëndësishme dhe ekspertiza ndërkombëtare, është rasti që Kuvendi të tregohet i përgjegjshëm për të shprehur kështu dhe një reflektim ndaj asaj që ka ndodhur në 2008, por edhe për të vendosur një standard të ri në procesin ligjvënës kushtetues”, - argumentoi ai. Në funksion të të njëjtin qëndrim Xhafaj shtoi gjithashtu se kufizimi i imuniteteve nuk është çelësi i artë për sa kohë nuk forcohen institucionet dhe pavarësia e tyre. Sipas tij amendimet duhet të shërbejnë dhe si një forcë shtytëse për pavarësinë e organit të akuzës, gjyqësorit por edhe drejtësisë në tërësi. 

DRAFTI I PD
Partia Demokratike konkretizoi pak ditë më parë nismën për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë duke e depozituar atë në Kuvend. Sipas ndryshimeve në nenin 73 të Kushtetutës, Kuvendi mund të kërkojë zbatimin e imunitetit të deputetëve vetëm me arsyen se po cënohet ndjeshëm funksionimi i Kuvendit. Dhe po kështu, ndryshe nga sa thuhet në Kushtetutë, propozohet që për çështje që lidhen me imunitetin, vendimi merret me votim të hapur. Në nenet 126 dhe 137 me ndryshimet e bëra, zhvishen nga imuniteti gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Gjykatës së Lartë. Nga neni 137 është hequr pika 1, sipas së cilës, gjyqtari i Gjykatës së Lartë mund të ndiqet penalisht vetëm me miratimin e Kuvendit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›