E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma Zgjedhore, Wollfarth takon Ramën në selinë e PS

TIRANE- Në limitet e skadimit të afatit për herë të komisionit të posaçëm parlamentar për reformën elektorale, ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth, vijon të apelojë nevojën për kompromis.

Pikërisht reforma zgjedhore mendohet të ketë qenë edhe arsyeja e takimit mes Ambasadorit Wollfarth dhe kryesocialistit Edi Rama, mëngjesin e sotëm në selinë e PS-së. Takimi ka nisur rreth orës 09.00 dhe zhvillohet pa praninë e mediave.

Pak ditë më parë, ambasadori Wollfarth deklaroi se “vija e finishit për reformën është afër, por vetëm për ata me vullnet politik. Përmbushja e kësaj detyre kërkon mbi të gjitha që udhëheqësit politikë t’i lënë mënjanë interesat partiake vetjake dhe të vënë në plan të parë vendin e të nderojnë besimin që u kanë dhënë qytetarët shqiptarë. Sa gjatë mund të presë Shqipëria? Unë jam i bindur se qytetarët e këtij vendi janë në gjendje t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Institucionet e këtij vendi sovran duhet të jenë të përgjegjshme. Përgjegjësia duhet të karakterizojë vullnetin politik dhe gjykimet e shëndosha të udhëheqësve të tij politikë”. 

Reforma Zgjedhore duhet të përmbyllet brenda datës 12 korrik. Ky është dhe afati zyrtar i mandatit të punës së komisionit parlamentar të reformës zgjedhore, i caktuar nga Kuvendi, i cili përfundon pas tre ditësh. 

Reforma elektorale mbetet ende e papërfunduar për shkak se palët nuk kanë gjetur konsensus për tre çështje: riformatimi i KQZ-së, ankimimi dhe teknologjia e numërimit.

Mazhoranca është shprehur e gatshme për të arritur konsensus me opozitën për reformën zgjedhore, por i bën apel PS-së që të heqë dorë nga ato që i konsideron si ultimatume. Nga ana tjetër opozita nuk heq dorë nga kërkesa për reformimin e KQZ-së. Pak ditë më parë kryetari i PS-së, Edi Rama paralajmëroi kryeministrin Berisha se pa reformim të KQZ-së nuk mund të flitet për një reformë të plotë zgjedhore.

Kreu socialist renditi 4 pika për një reformë të plotë zgjedhore, duke nisur që nga transparenca e materialeve zgjedhore, administrata e komisionerët, numërimi elektronik apo identifikimi i zgjedhësve.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›