Imuniteti i Mediut, Kuvendi kërkon dokumente shtesë
Arjan Madhi kërkon dokumente shtesë bazuar në rregullore. Topalli e mbështet
TIRANË- Duket se do të shkojë gjatë çështja e heqjes së imunitetit të deputetit, ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Kjo pasi që në seancën e parë, Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin ka lënë pezull shqyrtimin e kërkesës së kryeprokurores Ina Rama drejtuar kuvendit për dhënie autorizimi për procedim penal ndaj Mediut. Shkak është bërë pikërisht këmbëngulja e kryetarit të grupit parlamentar republikan, Arian Madhi për shoqërimin e kërkesës së kryeprokurores me dokumente shtesë. Menjëherë pasi kryeparlamentarja, Jozefina Topalli prezantoi para anëtarëve të këtij këshilli kërkesën me 21 faqe të kryeprokurores Rama, ka ndërhyrë deputeti republikan Arian Madhi, duke kërkuar zbatimin e nenit 118 të rregullores së Kuvendit, nen i cili përcakton se organi i akuzës përveç kërkesës duhet të vërë në dispozicion të kuvendit dhe materialet shtesë për të ballafaquar akuzat me argumentet. "Për të realizuar detyrimin tonë për shqyrtimin e kërkesës është e nevojshme që kërkesa e prokurorisë të vij në përputhje me nenin 118 të rregullores, kërkesë e cila duhet bashkëshoqërohet me dokumentet shoqëruese, sepse në të kundërt ne nuk do të mund të realizojmë analizën dhe shqyrtimin e kërkesës në rast se nuk do ta ballafaqojmë bashkë me dokumentet shoqëruese", - u shpreh Madhi. Për këtë arsye, ai i ka kërkuar kryeparlamentares Topalli që të shtyjë nisjen e procedurave të punës së këshillit dhe ti kërkojë në mënyrë zyrtare kryeprokurores që ti vërë kuvendit në dispozicionin dokumentacionin e nevojshëm. "Në nenin 118 përcaktohet kërkesa dhe dokumente shoqëruese, prandaj unë do tu kërkoja juve që kërkesa ti kthehet ose të mbahet e depozituar, por duke mos filluar procedurat e këshilli për sa kohë të sjellim në standardet e kërkuara nga rregullorja prokuroria materialin e kërkuar", - u shpreh Madhi në fjalën e vet. Kërkesë e cila ka gjetur dhe mbështetjen e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila e ka konsideruar shqetësimin e Madhit si të drejtë dhe të bazuar në rregullore. Për këtë arsye, ajo i ka kërkuar Madhit që ta paraqesë kërkesën e vet me shkrim në mënyrë që më pas ajo ti dërgohet kryeprokurores Ina Rama. "Unë doja që ta kisha me shkrim kërkesën tuaj. Në fakt këtë e përcakton neni 118 dhe unë nuk kam asnjë kundërshtim. Kujtoj që edhe herën e kaluar kam kërkuar për të sjellë në përputhje me rregulloren kërkesën e prokurorisë", - u shpreh Topalli. Por ndërkohë ajo i ka kërkuar anëtarëve të Këshillit që të njihen paraprakisht me materialet ekzistuese, duke bërë të ditur gjithashtu se në momentin e parë që prokuroria do të vërë në dispozicion materialet e tjera do të përcaktojë edhe datën e mbledhjes së ardhshme. Kryeprokurorja Ina Rama i kërkoi Kuvendit autorizim për procedim penal ndaj deputetit Fatmir Mediu. Në letrën voluminoze drejtuar Kuvendit ajo paraqet një sërë akuzash ndaj ish-ministrit për veprime dhe mosveprime të tij që sollën si pasojë tragjedinë e Gërdecit. Sipas Ramës, "procesi i demontimit është nxitur nga ministri për përfitime të paligjshme për të tretët". Ajo shkruan në letër që ministri në këtë proces ka miratuar akte nënligjore i orientuar nga interesat dhe përfitimet e padrejta të subjekteve private.