Raporti, media shqiptare me pak e lire se Tanzania
Raporti i Freedom House e rëndit Shqipërinë ndër vendet me liri shtypi të kufizuar
TIRANË- Shqipëria vazhdon të mbetet një vend me liri shtypi të kufizuar. Organizata Freedom House ka publikuar ditët e fundit raportin vjetor për lirinë e shtypit në botë, ku media shqiptare vlerësohet si pjesërisht e lirë dhe nën presion politikë dhe ekonomik. Nga 195 vende të monitoruara nga kjo organizatë, raporti e rendit Shqipërinë të 105, pasTanzanisë, Senegalit dhe Madagaskarit. Ndërkohë që krahasuar edhe me vendet e rajonit, media shqiptare është shumë herë më pak e lirë sesa media në Kroaci, Maqedoni apo edhe Mali të Zi, pavarësisht se janë pothuajse në të njëjtin nivel zhvillimi. Raporti sa i përket Shqipërisë evidenton se gazetarët në Shqipëri nuk i njohin të drejtat e tyre dhe autocensura është një dukuri mbizotëruese. Aty thuhet se qeveria e kryeministrit Sali Berisha ushtroi presion ndaj medias me prirje pro-opozitare gjatë gjithë vitit, duke i akuzuar ato - pa i përmendur me emër - se kishin marrë fonde nga grupe të krimit të organizuar. Freedom House shprehet se pavarësisht se liria e informimit është e garantuar në kushtetutë, zyrtarët shpesh u rezistojnë kërkesave të medias. Gazetarët nga ana e tyre nuk u shkojnë deri në fund kërkesave të tyre dhe në përgjithësi nuk i njohin të drejtat e tyre ligjore. Gjithashtu raporti evidenton faktin se OSBE-ja njoftoi se radio-televizionet e zbutën njëanshmërinë e tyre të zakonshme dhe bënë një pasqyrim të ekuilibruar para zgjedhjeve lokale të shkurtit megjithëse partitë e vogla nuk u pasqyruan sa ç'duhej dhe mbulimi u përqendrua tek personalitetet dhe jo tek politikat. Rregullat për caktimin e reklamave dhe heshtjen zgjedhore para votimit nuk u respektuan. Sipas raportit, mungesa e transparencës për pronësinë dhe financimet, e ekspozon median ndaj akuzave të pabazuara të ndikimit nga bota e krimit, ose motive të tjera. Radio-televizioni publik është përgjithësishtnë favor të autoriteteve dhe personeli i tyre ndryshon sa herë që ndryshon qeveria. Shumë gazetarë në Shqipëri, sipas raportit, punojnë pa kontrata, duke shtuar pasigurinë për vendin e punës dhe duke inkurajuar auto-censurën. Të gjitha mediat kanë vështirësi të depërtojnë në zonat rurale, për shkak të infrastrukturës së dobët dhe problemeve ekonomike.