Imzot Vinçenco Palian: Dialog mes palëve
Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot përfaqësuesin e Komunitetit të “Sant` Exhidios”, Imzot Vinçenco Palian dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Gjatë këtij takimi, Imzot Palia nënvizoi rëndësinë e qetësimit të menjëhershëm të situatës, rivendosjen e dialogut institucional mes palëve politike si dhe respektimin e institucioneve të shtetit ligjor duke patur parasysh që Shqipëria është projektuar drejt integrimit në familjen evropiane.
Presidenti Topi dhe Imzot Palia ndanë shqetësimin e madh për gjendjen e rënduar politike duke theksuar nevojën e ruajtjes së qetësisë e maturisë, zgjidhjen sa më të shpejtë dhe afatgjatë të mosmarrëveshjeve politike dhe mospërdorimit të retorikave të ashpra.
Nga ana e tij, Imzot Vinçenco Palia, pasi shprehu edhe njëherë dëshirën dhe gadishmërinë e të gjithë miqve dhe dashamirësve të popullit shqiptar për të gjetur “një rreze drite, në mënyrë që të dilet sa më shpejt nga kjo gjendje”, vlerësoi rolin e ekuilibruar dhe moderator të Kreut të Shtetit si garant i Kushtetutës dhe simbol i bashkimit të popullit.