In Memoriam për Enver Fajën
Para dy ditësh ndërroi jetë Profesor Enver Faja, një ndër arkitektët e urbanistët e shquar të vendit, pedagog i urbanistikës në Fakultetin e arkitekturës, autor e bashkautorë dhe bashkautorë i shumë veprave të ndërtuara në Shqipëri dhe në vitet 1992-1996 ambasador i qeverisë Demokratike në Poloni.
Vdekja e parakohshme e tij pikëllon jo vetëm familjarët dhe të afërmit e tij, por edhe kolegët e studentët e tij, miq e dashamirë dhe ata që punuan me të për një Shqipëri më të mirë e demokratike.
Me Enver Fajën jam njohur kur atë e kthyen nga studimet e larta në Poloni për motive jo shkollore, dhe erdhi me ne në kursin e tretë të Inxhinierisë së ndërtimit të Universitetit të Tiranës në vitin shkollor 1957-58. U bëmë dhe mbetëm të dy shokë si tiranas e jo vetëm për këtë, punuam së bashku në kantierin e hidrocentralit të Shkopetit menjëherë pas diplomimit dhe miqësia jonë mbeti e përhershme në vite.
Enver Faja ishte një pedagog i mirë dhe i pasionuar pas lëndës së tij. Prej tij kanë dalë një numër i madh arkitektësh që sigurisht do ta kujtojnë për aftësitë e tij në profesion, gjallërinë dhe tolerancën e ndihmën që i jepte kujtdo.
Profesor Enver Faja ishte ndër të parët intelektual që u bashkuan me partinë Demokratike dhe kontribuoj në të me shembullin e tij, me punën e tij fisnike si specialist dhe më vonë me detyrën e lartë si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Poloni.
Ne miqtë, shokët e dashamirët e tij, do ta kujtojmë atë dhe emrin e tij me respekt.
