Opozita miraton procesverbalin me korrigjimin për Zamir Podën
Opozita miratoi dje në seancë procesverbalin e seancës parlamentare të datës 16 qershor e miratimit të dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Gjatë seancës së kaluar opozita e cilësoi të falsifikuar procesverbalin, pasi në të nuk ishte përfshirë fjalia e deputeti të PR-së, Arian Madhi, i cili në përfundim të votimit për anëtarin Zamir Poda u shpreh se Kuvendi dha pëlqimin për këtë kandidaturë. Ndërsa gjatë seancës së djeshme ky procesverbal ishte korrigjuar, por ishte shtuar një sqarim i Sekretarisë juridike të Kuvendit. Në këtë sqarim jepej arsyeja përse kandidatura e Zamir Podës nuk ishte fituese. Opozita në fillim e kundërshtoi këtë shtesë në procesverbal, pasi sipas saj, procesverbali votohet veçmas sqarimit të Drejtorisë Juridike të Kuvendit. “Më vjen mirë që është ndryshuar procesverbali, por duhet hequr shtesa bashkëlidhur sqarimit të Drejtorisë Juridike. Nuk mundet që seanca të miratojë dy procesverbale”, - është shprehur kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj. Pas saj kryetarja e Kuvendit lexoi rezultatin e votimit, sipas të cilit kandidatura e Zamir Podës nuk është shpallur fituese. Kjo është kundërshtuar nga deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili tha se rezultati i votimit është shpallur në datën 16 qershor, kur kryetari i komisionit të votimit, Arian Madhi, u shpreh se Kuvendi dha pëlqimin për kandidatin Poda. Në përfundim opozita ra dakord duke e miratuar procesverbalin, ndërkohë që dënoi aktin e falsifikimit, duke e cilësuar atë të qëllimshëm.
24 Qershor 2008