E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Gjykata të japë drejtësi për Metën. FBI ekspertizë 21 janarit

TIRANE- Kryeprokurorja Ina Rama ka komentuar sot arrtjet e hetimeve për ngjarjet e 21janarit por edhe vendimin që pritet të marrë Gjykata e Lartë për Ilir Metën, i akuzuar për korrupsion pasiv.

Kryeprokurorja, duke iu përgjigjur interesimit të mediave në një konferencë të përbashkët me dy prokurorë italianë për cështjen e trafiqeve të drogës, u shpreh se “Ne jemi në pritje të përgjigjeve që duhet të na vinë nga laboratoret e FBI-së në Shtetet e Bashkuara, për disa kërkesa që ne i kemi prezantuar atje që lidhen me ekzaminimet balistike dhe disa të tjera. Shpresojmë që të mbërrijnë shpejt.Mendojmë që do të jenë të rëndësishme për t’i dhënë një zgjidhje përfundimtare cështjes. Por kjo do të kërkojë kohën e saj, si për të pritur pjesën dokumentare që vjeë që andej, si për ta analizuar dhe konkluduar pastaj në akuza definitive”, tha Ina Rama", e më pas sic tha ajo, organi i akuzës do të shprehet për këtë cështje.

Kryeprokurorja është pyetur nëse është kërkuar ekspertizë nga FBI për serverin e kryeministrisë, lidhur me një dyshim të mundshëm se mund të jenë manipuluar provat. Ajo tha se “Kjo është një pjesë e hetimeve që po kryejmë”.

Në lidhje me video-përgjimin Meta-Prifti numri I i Prokurorisë së Përgjithshme tha se tashmë organi i akuzës e ka dhënë pretencën. Pak orë para se Gjykata e Lartë të japë vendimin përfundimtar për këtë cështje, Ina Rama kërkon një vendim të drejtë të gjyqësorit.

“Nga Gjykata e Lartë presim të japë drejtësi. Ky është funksioni i gjykatës. Ne e kemi bërë prezent qendrimin tonë gjatë gjithë procesit, e kemi konkluduar atë në konkluzionet përfundimtare, është ajo që mendojmë se është e drejtë. Por fjala e fundit i takon gjykatës, është ajo që jep drejtësi, sipas sistemit tonë gjyqësor”, komentoi ajo.

Droga, Shqipëri-Itali rritet bashkëpunimi kundër trafikut
Në prezencën e prokurorëve italianë, kryeprokurorja Ina Rama e cilësoi të suksesshëm bashkëpunimin me rajonin e Leces në Itali, ndaj luftës kundër trafiqeve të lëndëve narkotike. Ndër të tjera ajo theksoi se, duhet një koordinim më i gjërë edhe me shtete të tjera, për rezultate edhe më të mira.

“Ky është një takim pune në vazhdën e takimeve që kemi patur prej kohësh, të cilin do ta quaja një bashkëpunim të frytshëm dhe të suksesshëm me palën italiane. Cmojmë punën e përbashkët edhe pse trafiku mbetet ende problem, nuk i përket vetëm Shqipërisë apo Leces, duhet një koordinim i autoriteteve të ligjit të shumë vendeve”, tha Ina Rama.

Nga ana e tyre, Cataldo Motta, Prokurori i Drejtorisë Antimafia në Leçe dhe Franco Patroni, kreu Guardi di Finanza për Pulian kanë vlerësuar bashkëpunimin mes dy vendeve tona për luftën ndaj trafikut të drogës.

Motta është shprehur i kënaqur për rezultatet e arritura në disa operacione, falë bashkëpunimit me Shqipërinë.
“Kam 40 vite në këtë punë, asnjëherë nuk kemi pasur këtë nivel bashkëpunimi me Shqipërinë dhe kjo është meritë e kryeprokurores. Besoj që e mbani mend operacionin “Sun Rise”, për herë të parë arritëm të kryenim disa urdhër arreste në Shqipëri dhe Itali. Mund të them se, është rritur niveli i ndihmës që na jep Shqipëria. Falë saj kemi pasur rezultate edhe në Itali, po punojmë në bazë të informacioneve të autoriteteve shqiptare. Vendi juaj dhe krahina jonë janë afër njëri-tjetër, ju përfaqësoni derën dalëse të trafiqeve nga lindja, ne jemi prita hyrëse për në perëndim. Po të mos bashkëpunonim gjerat do shkonin më keq, trafikantët do kishin fitur betejën”, tha prokurori italian.

I pyetur nga gazetarët se kush janë lëndët narkotike që vijnë më shpesh nga Shqipëria, Motta tha se “Marijuana që prodhoni i kalon 20 tonelata në një vit, ndërsa heroina e kokaina janë në sasi më të ulta”.

Prokurori mohoi të ketë pasur ndonjë hetim të palës italiane për ndonjë trafik të mundshëm të mbetjeve të jashtëligjshme drejt Shqipërisë.
(m.Arapi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›