E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, shtresat e akullit izolojnë disa fshatra

KUKËS -Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës, ngricat e krijuara për shkak të uljes së ndjeshme të temperaturave në zonën verilindore kanë lënë të bllokuar banorët e komunave të Shishtavecit, Arrnit, Kalisit, Grykë Cajës, Shishtavecit dhe Zapodit, si dhe disa fshatra të të komunave të tjera të këtij rrethi dhe kanë vështirësuar lëvizjen e mjeteve në shumë prej akseve rrugore.
“Ngricat kanë shkaktuar izolimin e shumë fshatrave e komunave të rrethit të Kukësit, edhe pse reshjet e dëborës mungojnë”,- thotë shefi i Emergjencave Civile në prefekturën e Kukësit, Azem Tema.

Në këtë zone, temperaturat luhaten nga minus 8 në minus 1gradë Celsius, ndërsa shpejtësia e erës arrin në 4 metër për sekondë.
Pavarësisht këtyre treguesve të motit, vështirësia e lëvizjes së mjeteve në akset rrugore është rritur si rrjedhojë e shtresave të akullit.
“Vetëm në segmentin rrugor të autostradës Morinë- Kukës – tunel, situata është disi normale, ndonëse vazhdon të hidhet kripë e skorje në segmentet ku janë të pranishme shtresat e akullit”,- thotë Tema.

Ndërsa në akset e tjera rrugore si; Kukës – qafë Shllak, Kukës – Krumë – Bajram Curri, lëvizja e mjeteve mund të kryhet vetëm përmes pajisjes me zinxhirë pasi shtresat e akullit kanë përfshirë gjithë rrugën.

Ndërkohë që lëvizja e mjeteve, edhe pse me zinxhirë, është vështirësuar në aksin rrugor Kukës – Daj Rec, ku trashësia e borës arrin në rreth 40 centimetra.
Të izoluar janë edhe mjaft fshara të rrethit të Hasit dhe të komunave të Margegajt e të Lekbibajt në rrethin e Tropojës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›