Ina Rama: Krimi i organizuar ka suport politik

Kryeprokurorja nuk ka mohuar faktin se prokuroria është në presion politik. Ajo ka kërkuar edhe heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, pasi pengon punën e organit të akuzës
TIRANË - Presioni politik, lidhja e krimit me politikën, imuniteti i zyrtarëve të lartë dhe numri jo i mjaftueshëm i prokurorëve përbëjnë vështirësitë kryesore që organi i akuzës në Shqipëri të kryejë dhe përmbushë siç duhet detyrën e vet.
Këto faktorë determinues i ka pohuar vet dje kryeprokurorja Ina Rama gjatë raportimit të punës së Prokurorisë për vitin 2009 në Komisionin e Ligjeve, ku falë edhe pyetjeve të drejtuara edhe nga deputetët ka mundur të shpreh jo vetëm arritjet në luftën kundër kriminalitetit të të gjitha llojeve të tij në vendin tonë, por edhe shqetësimet që hasen në punën operative të përditshme të këtij institucioni.
Raportimi
Prokurorja e Përgjithshme pas një viti pushim (për arsye të pashpjegueshme gjatë vitit 2009, kryeprokurorja nuk u thirr të raportonte në Kuvend për punën e prokurorisë për vitin 2008), është rikthyer bashkë me opozitën në Komisionin e Ligjeve, ku ka prezantuar dhe mbrojtur punën e kryer nga institucioni që ajo drejton për vitin që lamë pas.
Në një seancë maratonë që si asnjëherë më parë ka zgjatur plot 4 orë, shefja e organit të akuzës ka lexuar fillimisht një përmbledhje të raportit të saj 244 faqesh dhe më pas i është përgjigjur pyetjeve të tej zgjatura të deputetëve, të cilat shpesh herë nuk kishin të bënin me çështje teknike, por i referoheshin rasteve konkrete, çka ka detyruar atë që në zbatim të ligjit të mos i përgjigjet.
Në vija të përgjithshme kryeprokurorja ka servirur të dhëna që tregojnë një tendencë në rënie të kriminalitetit në vendin tonë. Duke marrë në referencë përllogaritjen e koeficientit të kriminalitetit për 100.000 banorë në lidhje me procedimet penale të regjistruara, kryeprokurorja ka theksuar se rezulton se rrethet që kanë problematikë më të lartë me këtë tregues janë ato të Vlorës, Sarandës, Durrësit, Tiranës, Gjirokastrës, Kurbinit, Kukës, Korçë, Tropojë, Lezhë Shkodër, Pukë, Pogradec, Elbasan, Kavajë, Fier, Dibër, Lushnjë, Mat dhe Berat.
Ndërsa ka bërë të ditur gjithashtu se koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë, në shkallë Republike për vitin 2009 është 529.45, një shifër kjo në ulje me një vit më parë, ndërkohë që koeficienti i kriminalitetit për 100.000 banorë në shkallë Republike për vitin 2008 ishte 547.37.
Më tej, ajo ka bërë me dije se gjatë vitit 2009, në organin e prokurorisë janë trajtuar njoftime për vepra penale të ndodhura dhe janë ndjekur penalisht 22 276 procedime penale, prej të cilave janë regjistruar në total 16 910 procedime penale.
Ndërsa nga prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, është ngritur dhe është përfaqësuar akuza në gjykatë në emër të shtetit shqiptar për 6 622 procedime me 8 352 të pandehur. Gjithashtu, janë paraqitur në gjykatë 7 547 kërkesa për caktimin e masave të sigurimit personal për persona nën hetim.
Duke iu referuar raportit prokurorja e përgjithshme ka evidentuar qartë se gjatë vitit të shkuar për veprën e korrupsionit, nga analiza e treguesve statistikor, rezulton se për këto grup veprash në vitin 2009 janë ndjekur penalisht 129 procedime, me 89 të pandehur, prej të cilëve për 53 të pandehur është ngritur akuzë në gjykatë.
Ka përfunduar gjykimi dhe janë dënuar 36 persona, për të tjerët pritet gjykimi i tyre. Personat e hetuar, gjykuar dhe dënuar për këtë grup veprash penale janë funksionar publik të niveleve të ndryshme, nga nëpunës të thjeshtë, të zgjedhur vendor e deri në nëpunës të lartë në institucione qendrore.
Imuniteti
Kryeprokurorja ka shfrytëzuar rastin për të evidentuar edhe një herë me forcë kërkesën e saj për të bërë të mundur nga ana ligjore heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, duke argumentuar se një suport i tillë pengon organin e akuzës që të kryejë detyrën e vet, kryesisht për rastet e korrupsionit.
"Amendimeve të nevojshme ligjore, me qëllim kufizimin e imuniteteve për t'i hapur rrugë organit të akuzës që të ushtrojë më me efektivitet ndjekjen penale edhe për këtë kategori personash, veçanërisht në drejtim të veprave penale të korrupsionit dhe krimeve në detyrë", - tha Rama në fjalën e saj.
Ndërsa në përgjigje të interesit të deputetëve, ajo ka theksuar se problematika që lind për shkak të pasjes së imunitetit është fakti se nuk mund të kryhet dot hetim për zyrtarët që kanë mburojën e ligjit.
"Nuk bëjmë dot hetime. Për të dhënë autorizimin e hetimit nga institucionet përkatëse duhet të kemi mbledhur prova që të faktojmë se kemi të dhëna të mjaftueshme për tu hequr imuniteti. Në këto raste, kemi abuzim me detyrën apo vepra që kanë nevojë për hetim të fshehtë, kontrolle, grupe vëzhgimi etj. Është e pamundur të bëjmë këtë aktivitet duke qenë se personat kanë imunitet.
Dhe gjithë kjo dështon punën tonë", - tha Rama, duke propozuar që në pamundësi për të hequr imunitetin me kushtetutë, të bëhet e mundur një ndryshim në procedurën penale ku t'i lejohet prokurorisë që të mbledhë provat dhe të hetojë pa qenë e nevojshme të hiqet imuniteti.
Gjithashtu, pyetjet e deputetëve kanë zbuluar edhe një sërë fenomenesh të tjera që shqetësojnë punën e prokurorisë siç është mungesa e fondeve të nevojshme për të rekrutuar numrin e nevojshëm të prokurorëve, por edhe për të mbështetur hetimet ashtu siç duhet, sidomos kur bëhet fjalë për rastet jashtë shtetit.
Në seancën e pyetje-përgjigjeve, Rama ka pranuar se edhe në Shqipëri është tendencë e krimit të organizuar që të gjejë mbështetje tek politika.
"Krimi i organizuar në dimensione të tilla transanacionale është e pamundur të qëndrojë në fuqi pa një suport politik", - tha Ina Rama. Ndërkohë, ajo nuk ka mohuar edhe një deklaratë të ambasadorit Withers, i cili disa kohë më parë ka pohuar se prokuroria është nën presion politik.
Pyetje-Përgjigjet
Aldo Bumçi:
Cilët janë treguesit që unë dua të shoh, për të parë arritjet e punës së prokurorisë?
Ina Rama:
Në lidhje me atë se kush janë treguesit sasiorë dhe të cilësuar, unë mendoj se janë evidentuar qartazi në raport. I gjithë numri i çështjeve tregon për volumin dhe ngarkesën e punës, me të cilën është përballur prokuroria gjatë vitit 2009.
Saimir Tahiri: Nga relacioni i paraqitur nga kolegu tërhiqej vëmendja prokurores që të mos bënte më vërejtjet dhe kritikat në publik për projektligjet e mazhorancës. E konsideroni këtë si një presion politikë ndaj organit tuaj?
Rama: Unë do thosha thjesht që çdo prokuror është i lirë të shfaqë mendimet e tij në publik dhe kudo që ai e shikon të arsyeshme për drafte apo ndryshime që i bëhen ligjeve. Askush s'mund të pengohet për këtë.
Sigurisht prokuroria është detyruar që sa herë që ftohet të japë mendime si për rastin konkret, që është ishte ligji antimafie, ashtu edhe për çdo projektligj tjetër. Ne e kemi bërë këtë.
Saimir Tahiri: Për sa i përket vrasjes së deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, a e konfirmoni ju znj. Prokurore se nga ana e organit të akuzës vrasja e deputetit është vlerësuar si vrasje për shkak të detyrës si deputet?
Rama: Në lidhje me vrasjen e deputetit Xhindi për të respektuar ligjin që nuk jepen të dhëna për çështje të veçanta, unë nuk do të preferoja që të jepja informacion se ku gjendet hetimi. Por do të thosha në parim që absolutisht prokuroria shqiptare është e angazhuar totalisht për të bërë zbardhjen e asaj ngjarje që e konsiderojmë si një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura kohët e fundit në Shqipëri.
Enkelejd Alibeaj: Çfarë ka ndodhur në vitin 2009 që ka ulje të koeficientit të kriminalitetit?
Rama: Në analizë të treguesve statistikorë elementët që kanë ndikuar në uljen e kriminalitetit janë të ndryshëm dhe kompleks. Në vija të përgjithshme do të thosha se kemi një punë më të mirë të të gjitha organeve të zbatimit të ligjit dhe luftës kundër kriminalitetit.
Fatos Hoxha: Intervista e dhënë në "Zërin e Amerikës" në shkurt të vitit 2008. Po i referohem Zërit të Amerikës meqë miku im Pandi dhe unë jemi që të anojmë më shumë nga Amerika.
Në pyetjen e parë gazetari pyet se sipas të dhënave që keni ju a ka lidhje të krimit të organizuar me politikën, ju i përgjigjeni se është tendencë e krimit të organizuar që të shfrytëzojë politikën për tu fuqizuar.
Është e pashmangshme ndoshta. Pyetja tjetër është, pra a ka arritur të shfrytëzojë politikën, ju i përgjigjeni, "po besoj se politika në ndonjë rast është vënë në shërbim". Duke marrë shkas nga kjo, a i qëndroni kësaj deklarate, nëse po mund të na jepni raste të cilat i keni ndeshur?
Rama: Megjithëse zoti Hoxha i referohet deklarimeve të mia në 2008, ndërsa unë po raportoj për 2009 mund të them që u qëndroj përgjigjeve që kam dhënë te Zëri i Amerikës shoqëruar me shpjegimin se ai është një definicion i gjendjes së kriminalitetit, i mënyrës i tendencave si shtrihen veprat penale, si funksionojnë organizatat kriminale apo si zhvillohen organizatat kriminale dhe nuk është një definicion që i përket vetëm Shqipërisë por i përket të gjitha vendeve të Europës dhe më gjerë, sepse sigurisht që krimi i organizuar në dimensione të tilla transanacionale është e pamundur të qëndrojë në fuqi pa një suport politik. Dhe ky është parim dhe deduksion i analizës së mënyrës se si funksionon kriminaliteti.
Hoxha: Dua të kujtoj se ka një kallëzim penal për kolegun tonë Doshi nga drejtoria e përgjithshme e pastrimit të parave. Bëhet fjalë për deklarim të pasurisë së tij prej 10.5 milionë dollarësh dhe nga gjithë hulumtimet që ka bërë kjo drejtori më shumë se gjysma e kësaj pasurie është e rremë.
Çfarë bëhet me këtë dosje dhe a ka të tjera?
Rama: Në lidhje me kallëzimin e zotit Doshi dhe kjo i përket 2008, nuk hyn në këtë raportim, por është e zgjidhur.
Hoxha: Në 8 mars keni bërë seminar me prokurorë të Malit të Zi. Ambasadori amerikan që ka marrë pjesë atje është shprehur "Prokuroria e Përgjithshme është ndeshur gjatë punës së saj me presionin e politikës". E konfirmoni këtë gjë?
Rama: Zoti Hoxha shikoj se ka tendencë të më pyesë mua për deklarata që bëjnë të tjerët në lidhje me mua apo punën time. Unë nuk bëj deklarata në lidhje me komentet e personave të tjerë shumë të nderuar, zotërinj shumë të nderuar dhe shumë mbështetës të punës së prokurorisë, të cilin duhet ta falënderoj dhe në këtë komision.
Tahiri: Po nis me premisën se ju kërkoni në fund me rritjen e buxhetit për prokurorinë, shtimin e numrit të përgjithshëm të punonjësve dhe kufizimit të imunitetit për t'i hapur rrugë hetimit të korrupsionit dhe krimit në detyrë.
Ndërkohë, më duhet tu kujtoj se në çdo raport të ndërkombëtarëve theksohet kultura e pandëshkueshmërisë, kam parasysh disa dosje të veçanta, dosja Gërdeci që është pezulluar për shkak të rifitimit të imunitetit të shtetasit Fatmir Mediu, dosja Durrës-Kukës, për të cilën ende nuk ka mbajtur përgjegjësi askush, as nga prokuroria për skadim afatesh.
Në çështjen ndaj shtetasit Damir Fazlliç nuk dihet a ka nisur çështja penale për punonjësit e policisë, që ndaluan prokurorët ta merrnin në pyetje?
Dosja "Remzi Hoxha" dhe atentati ndaj gjyqtarit të gjykatës së lartë, Ardjan Nuni. Çfarë e pengon prokurorinë ti çojë deri në fund këto çështje?
Rama: Është një pyetje që e dini që nuk do ta merrni përgjigjen.
Tahiri: Më mjafton dhe heshtja.
Paloka: Sa kanë qenë raste të korrupsionit pasiv, dhe a ka qenë prioritet kjo apo po tentohet të hetohen zyrtarët jo ata që kanë korruptuar zyrtarët?
Rama: Nuk jemi ndalur vetëm te korrupsioni pasiv, por dhe në ndëshkimin e personave që bëjnë korrupsion aktiv. Nuk kemi korrupsion në sektorin privat, kemi 2 çështje korrupsioni aktiv në sektorin publik, 7 raste korrupsioni aktiv në sektorin e drejtësisë. Këto janë të dhënat për 2009.
Paloka: Lidhur me kufizimin e imunitetit, keni parasysh të parlamentarëve apo zyrtarëve në përgjithësi dhe në cilat raste ju jeni penguar nga imuniteti i zyrtarëve?
Rama: Për sa i përket problemit të imunitetit i referohem imuniteteve në përgjithësi jo vetëm të parlamentarëve. Nuk është shqetësimi ynë se kemi hasur problematikë kur kemi paraqitur kërkesën. Në fund kjo është çështje që nuk i përket organit të akuzës por një institucioni tjetër si parlamenti apo KLD.
Problematika që lind për shkak të pasjes së imunitetit është fakti se nuk mund të kryejmë dot hetime. Për të dhënë autorizimin duhet të kemi mbledhur prova që të faktojmë se kemi të dhëna të mjaftueshme për tu hequr imuniteti.
Në këto raste kemi abuzim me detyrën apo vepra që kanë nevojë për hetim të fshehtë, kontrolle, grupe vëzhgimi etj. Është e pamundur të bëjmë këtë aktivitet duke qenë se personat kanë imunitet.
Dhe gjithë kjo dështon punën tonë. Ajo që kemi ngritur si propozim duke qenë se Kushtetua është e vështirë të ndryshohet, kemi sugjeruar vazhdimisht që të pësojë ndryshime dispozita e procedurës penale që rregullon aktivitetin hetimor për personat me imunitet.
Ajo dispozitë thotë se nuk mund të bësh ballafaqime, kontrolle, interceptime për personat me imunitet. Kjo dispozitë të ndryshohet dhe të themi që nuk mund të marrë të pandehur një persona që ka imunitet.
Doda: Dukuri e shpeshtë është dhe dalja e sekretit hetimor, seanca të tëra dalin në media fiks që janë në procesverbale. Se kam fjalën për çështje që shkojnë në gjykatë, por për ato raste kur dosja është vetëm në dorë të prokurorisë. A merrni hapa konkret në këto çështje apo konsiderohet si një mënyrë presioni mediatik për çështje të caktuara?
Rama: Ka raste që dalin të dhënat e çështjeve penale. Për sa kohë që drejtoj Prokurorinë e Përgjithshme nuk më rezulton asnjë rast kur procesverbali i hartuar në fazën e hetimeve paraprake të jetë publikuar. Dalin të dhëna të hetimeve, por jo procesverbale.
Debatet në komisionin e djeshëm
Pandeli Majko: Ne kërkojmë që të caktojmë dy a më shumë persona nga të dyja palët si relatorë, me qëllim që të insistojmë për të vajtur me një rezolutë të përbashkët, meqë bëhet fjalë për një institucion kaq të rëndësishëm. Besoj se deri nesër këtë mund ta përmbyllim.
Ilir Rusmali: Draft-rezoluta nuk është dokument i grupeve parlamentare. Ky është një dokument i komisionit dhe ne kemi të gjithë hapësirën, që ne të bëjmë propozime mbi këtë draft të paraqitur nga relatori, t'i bëjmë shtesa dhe përmirësime.
Nëse ka shqetësime ose kërkesa të ndonjë kolegu për të evidentuar ndonjë çështje të veçantë relatori është këtu dhe mund t'i dëgjojë ato. Ndaj proçeduralisht mbledhjen duhet ta kalojmë sipas rregullave.
Tahiri: Në vijim edhe të sugjerimit të z. Majko mendoj se ky Kuvend nuk mund të bëjë thjesht një vlerësim teknik të punës së prokurorisë. Ky kuvend mbi të gjitha bën një vlerësim publik politik të punës së prokurorisë, duke ofruar gjithashtu edhe mbështetjen për punën e prokurorisë për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Në asnjë nga paragrafët e kësaj rezolute nuk shprehet gatishmëria e Kuvendit për të mbështetur prokurorinë në luftën e saj në krimin e organizuar dhe korrupsionit, ashtu siç nuk shprehet gatishmëria e Kuvendit për të garantuar pavarësinë e Prokurorisë larg çdo sulmi politik çfarëdo qoftë.
Kuvendi nuk mund të fshihet si struci dhe të miratojë një rezolutë ku nuk i kërkohet prokurorisë që të përshpejtojë punën e saj në lidhje me hetimin e çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin të zyrtarëve të lartë dhe ata që mbrohen nga imuniteti. Nuk mund të miratohet një rezolutë që në kreun e dytë pika dy shprehet impakti pozitive në luftën kundër moszbatimit të ligjit zgjedhor.
Ka një krizë që zgjat prej 9-muajsh dhe që ka pikërisht këtë shkak moszbatimi i legjislacionit zgjedhor. Nuk mundet Komisioni i Ligjeve të miratojë një rezolutë ku vlerësohet impakti pozitiv ndaj moszbatimit të legjislacionit zgjedhor.
Rusmali: Unë besoj se ne nuk mund të mbështesim pozicionin tonë politik mbi argumente të sëmura. Argumente të sëmura që nisen nga premisa të padrejta. Ky dokument i jep një mbështetje të plotë prokurorisë me tolerancë zero kundrejt të gjitha formave të krimit.
Nuk është se nuk po e mbështesim. Kjo rezolutë nismën e ka tek raportimi vjetor i prokurorisë dhe nuk e ka tek raportimi që bëjnë çfarë do lloj organizate të çdo shteti. Kur të marrim në shqyrtim nëse na e lejon ligji, atëherë do bëjmë rezolutë për to. Sot kemi raportin e Prokurores së Përgjithshme.
Ne e kemi vuajtur politikisht shumë si mazhorancë vorbullën e çuditshme të luftës politikës që ndodh në Shqipëri. Ne kemi vuajtur shumë mosbesimin e hapur arrogant dhe brutal që opozita ka pasur ndaj Prokurorisë së Përgjithshme dhe refuzimin e saj për të mos çuar në të kallëzimet për çdo lloj pretendimi apo kërkese lidhur me zgjedhjet në Shqipëri.
Një refuzim që i ka hedhur baltë institucionit, ndërkohë që ne kemi kohë që ju themi që nëse keni karta të falsifikuara i çoni në prokurori dhe mos bëni luftë të mbrapshtë dhe false politike me gjërat. Nuk është synimi i rezolutës të bëj interesin e x apo y.
Ky interes nuk bëhet në këtë komision, nuk bëhet me këtë rezolutë, ai mund të bëhet me darka, me dreka, mund të bëhet në kopsht zoologjik apo botanik, por jo këtu. Prandaj kërkesën procedurale të zotit Majko ne ta rrëzojmë. Bie propozimi i z. Majko.
Majko: Kolegë të nderuar bëra atë që kemi bërë zakonisht në parlamentin shqiptar. Rezolutat nëpër komisione përgjithësisht miratohen me kompromisin e dy palëve. Kjo ka qenë jo politike, por rutinë parlamentare.
Sot ishte mundësia për të dhënë një shembull për një situatë e cila tanimë duhet restorant "Krokodili" për t'jua mbushur mendjen. Besoj se sot mund të jepnim shembull sesi gjerat bëhen me kompromise, s'po kërkojmë më shumë sesa një rregull rutinë të parlamentit. Ju nuk doni dhe e hodhët poshtë me votë, ndaj nuk keni pse prisni ndonjë lloj vote nga ana jonë.
Paloka: "Pyesni kryetarin tuaj ça do bëni, do ikni apo jo..."
Tahiri: "Mos më fol mua ashtu ti"
Paloka: "E pse ça do bësh ti. Unë me një njeri si ty nuk shkoj as në hale"
Tahiri: "Të thash dhe një herë mos më fol mua ashtu"
Paloka: "Boll se ta këpus kokën. (Me xhest i tregon Tahirit se do ta përdredh qafen)"
Shega Ligori: "Nëse je burrë bëje para kamerave atë xhest që bëre dhe ato fjalë që the. Si mund të vazhdohet kështu me kërcënime të tilla, ta këpus kokën apo të bëjë atë e këtë"
Paloka: "Këtë po e thua ti jo unë"
Rusmali: "Ju lutem zotërinj kolegë se jemi ende të ngarkuar me emocione dhe nuk është mirë që t'i zbrazim këtu në tavolinë"
Dashnor Sula: "Palokë, Palokë, dale se po flas. O Edi".
Shega: "Thuaj para kamerave nëse burrë..."
Paloka: "Për burrë ti mbahesh...."
Tahiri: Nuk bie dakord me konsideratat tuaja, madje shpreh vlerësimin tim se në rast se ka në këtë tryezë një palë që ka vazhduar dhe vazhdon të ushtrojë presion, ka hedhur dhe vazhdon të hedhë baltë mbi institucionet kushtetuese dhe në veçanti mbi Prokurorinë, kjo është mazhoranca që ju përfaqësoni dhe kryeministri juaj.
Halimi: Të lutem, nëse doni të bëni deklarata politike dil jashtë dhe fol sa të duash.
Strazimiri: Kryetar të lutem ndërhy dhe zbato procedurat. Jemi në proces të miratimit të rezolutës dhe jo të deklaratave politike.
Nuk mund t'i dëgjojmë ne këto pallavra.
Tahiri: Ju po i ofroni Kuvendit një rezolutë me ekzaltim jo për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Konkretisht propozoj që Kuvendi të shpreh gatishmërinë dhe angazhimin maksimal për të garantuar plotësisht pavarësinë e Prokurorisë së Përgjithshme larg çdo forme të presionit politik.
Majko: Vota jonë është abstenim dhe besoj që e mirëkuptoni se është një rezolutë e njëanshme. Këtu nuk diskutohet që ju jeni për të luftuar krimin, ndërsa ne themi që prokuroria të sillet më butë.
Ne themi që të bëjmë një rezolutë me kompromis, ju nuk doni. Atëherë vazhdoni.
Rusmali: Derën hapur e keni hapur gjithmonë për kompromise që respektojnë ligjet e këtij vendi.