Gjykata e Lartë, Topi dekreton tri kandidatura

Presidenti i Republikës rikthen Medi Bicin të rrëzuar nga Kuvendi dy vite më parë dhe Sokol Çomon, për të cilin disa vite me parë mazhoranca pati përplasje për mandatin e tij në KLD
TIRANË - Vexhi Muçmataj, Sokol Çomo dhe Medi Bici janë tri kandidaturat që janë dekretuar dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Vexhi Muçmataj ka qenë anëtarë i KLD-së. Më pas, ai ka ushtruar për një kohë relativisht të gjatë detyrën e prokurorit. Muçmataj ka qenë edhe Prokuror i rrethit Tiranë i komanduar nga ish-Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku. Emri i dytë i dekretuar nga Presidenti i Republikës është ajo e Sokol Çomos, një kandidaturë kjo që ka sjellë disa herë fërkime me mazhorancën aktuale.
Rasti tipik ka qenë ai i muajit korrik të vitit 2006, ku ai së bashku me Pranvera Strakoshën vazhduan të ishin anëtarë të KLD-së, teksa Kuvendi kishte miratuar asokohe dy anëtarët e rinj, Ardian Nuni dhe Guxim Zenelaj.
Mandati i këtyre të fundit duhet të ishte marrë në shqyrtim nga KLD-ja, e cila nuk pranoi ta bënte një gjë të tillë me argumentin se nuk kishte vende vakante dhe se mandati i dy anëtarëve më të rinj, (Como dhe Strakosha) në vitin 2006 nuk kishte përfunduar ende.
Në fakt, konflikti rreth kësaj çështje vazhdoi gjatë, plot një vit, aq sa në muajin maj të vitit 2007, ish-Ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, asokohe pati një debat të ashpër me ish-Presidentin e Republikës, Alfred Moisiu, në mbledhjen e KLD-së, ku Rusmali u shpreh se Ardian Nuni dhe Guxim Zenelaj duhet të ishin anëtarë të KLD-së që prej një viti.
Aktualisht, Sokol Çomo ushtron profesionin e avokatit. Së fundmi, ai ka qenë edhe avokat i sopranos së njohur Inva Mula në kërkesën e kësaj të fundit dorëzuar në Gjykatën e Tiranës për divorc nga bashkëshorti Pirro Çako.
Kandidatura e tretë e propozuar nga Presidenti i Republikës është ajo e Medi Bicit, i njohur jo vetëm për gjyqësorin, por edhe për partitë politike. Medi Bici ishte një nga 5 kandidaturat e rrëzuara plot dy vite më parë nga Kuvendi për anëtarë të Gjykatës së Lartë të propozuar nga Presidenti, Bamir Topi.
Medi Bici vjen nga radhët e ish të përndjekurve. Pas rrëzimit të kandidaturës së tij nga Kuvendi, në qershor të vitit 2008, ish të përndjekurit protestuan, duke e cilësuar të padrejtë mungesën e votave nga mazhoranca në favor të kësaj kandidature.
Xhoxhaj dhe Dedja betohen para Presidentit
TIRANË - Anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj dhe Bashkim Dedja, u betuan dje para Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Në ceremoninë zyrtare të rastit ishin të pranishëm Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo dhe anëtarët e tjerë të kësaj Gjykate.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të formulës së betimit nga Sekretari i Përgjithshëm, Aleksandër Flloko, me dorën mbi Kushtetutë anëtarët e rinj bënë betimin para Kryetarit të Shtetit, i cili nga ana e tij i dorëzoi dekretin e emërimit. Ceremonia ka qenë e vakët dhe krejtësisht formale. Ndërkohë, dje nuk ka mundur që të bëjë betimin kandidatura e tretë e propozuar nga Topi, Vangjel Kosta, i cili u rrëzua nga Kuvendi me votat e mazhorancës.
Kryesocialisti tha dje se rrëzimi i Vangjel Kostës ishte krejtësisht jotransparent
Rama: Rrëzimi i Kostës, për motive të errëta
TIRANË - Përveç apelit drejtuar mazhorancës, kryesocialisti Edi Rama reagoi dje edhe ndaj rrëzimit nga ana e shumicës të kandidaturës së Vangjel Kostës të propozuar nga Presidenti Bamir Topi për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke e cilësuar atë si një veprim jotransparent dhe i kryer tërësisht për motive të errëta.
Ky veprim politik nga ana e mazhorancës, sipas Ramës ishte në kundërshtim me procesin e transparencës që sipas tij, pushteti politik po i kundërvihet transparencës gjithnjë e më shumë, kur nuk po jep përgjigje për zgjidhjen e krizës politike. Rama evidentoi se rrëzimi i kësaj kandidature, në një periudhë të tillë politike është edhe më e rëndë kur nevojitet dialog dhe jo arrogancë.
"Ky ishte një rrëzim për motive të errëta dhe në kundërshtim të plotë me frymën e transparencës e të kushtetutshmërisë, e cila po i mungon vendit përditë e më shumë në këtë kohë krize të thellë.
Edhe më e rëndë është që kjo ndodhi në një moment kaq të papërshtatshëm sa ç'është kjo periudhë shumë delikate për Shqipërinë, kur duhet reflektim serioz jo arrogancë provinciale, frymë dialogu e kompromisi jo qasje destruktive e akte brutale, zgjidhje e jo thellim i krizës", - theksoi ai.
Hedhja poshtë me votat e deputetëve të djathtë të kësaj kandidature, sipas Ramës tregoi se pushteti po mundohet gjithnjë e më tepër që ta nënshtrojë sistemin e drejtësisë interesave të veta.
"Degradimi në vijimësi i sistemit të drejtësisë dhe përpjekja konstante e pushtetit aktual për t'ia nënshtruar drejtësinë interesave te veta, u shpreh në një formë jashtëzakonisht shqetësuese edhe përmes rrëzimit në parlament të kandidaturës së konstitucionalistit të njohur, zotit Vangjel Kosta, i propozuar nga Presidenti i Republikës për anëtar i Gjykatës Kushtetuese", - tha Rama.
Mos miratimi i kandidaturës së juristit Vangjel Kosta nga Parlamenti u kundërshtua edhe nga ambasadori amerikan Xhon Uidhers, e cilësuar këtë veprim si përpjekje për të cenuar ndarjen e pushteteve në vend.
**************************
Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Patozi, tha se Vangjel Kosta kishte marrë pjesë në procese politike
Patozi: Për Vangjel Kostën morëm vendim politik
TIRANË - Pavarësisht reagimit të ambasadorit amerikan Xhon Uidhers se mosmiratimi i kandidaturës së Vangjel Kostës është një përpjekje për të cenuar ndarjen e pushteteve, dhe reagimit të mëpasshëm të kryetarit të opozitës, Edi Rama, kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi parlamentar i Partisë Demokratike duke e cilësuar kandidaturën e propozuar prej tij si vuri në dukje se kandidatura e paraqitur nga Presidenti ishte krejtësisht politike dhe për këtë arsye, ajo u rrëzua nga shumica.
Sipas Patozit, kandidatura e Kostës ishte e cenuar në aspektin e integritetit profesional, pasi sipas tij, ai ka qenë pjesë e proceseve politike dhe vendimeve gjyqësore në sistemin e kaluar politik. "Rasti i zotit Kosta bën pjesë qartësisht në grupin e parë të kandidaturave politike dhe për këtë shkak u rrëzua.
Ne kemi votuar fshehur, se kështu e parashikon Kushtetuta, por e deklarojmë hapur arsyen politike të votës kundër. Më duhet të theksoj se ky standard, është sa transparent, aq edhe i patjetërsueshëm për mazhorancën", - tha dje Patozi gjatë një konference për shtyp.
Një kandidaturë e tillë, sipas Patozit, është e papranueshme që të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë, duke pasur parasysh se ai ka qenë pjesë e vendimmarrjeve politike. Në këtë mënyrë, sipas tij, mazhoranca do t'i mbetet gjithmonë këtij qëndrimi duke refuzuar çdo kandidaturë me integritet të cenuar e politike.
"Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë, pa as më të voglën mëdyshje, se e konsideron të papranueshme ngjitjen në kupolën e sistemit të drejtësisë të çdo kandidature politike.
Dhe me këtë ajo ka parasysh të gjithë personat, që në karrierën e tyre gjatë diktaturës kanë marrë pjesë në procese politike, si dhe ata të tjerët, që kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeveritë e 20 viteve të fundit", - u shpreh ai.
Patozi reagoi edhe ndaj deklaratës së Ramës. "Meraku i shprehur sot botërisht nga zoti Rama mund të vijë për shkak të lidhjeve të tij me të shkuarën apo nga një mentalitet i papajtueshëm me shtetin demokratik të së drejtës.
Cilido që të ketë qenë motivi, ne urojmë që ai të çlirohet sa më shpejt prej këtyre ndikimeve, pasi mbajtja larg drejtësisë e personave me integritet të cenuar gjatë karrierës së tyre dhe të pozicionuar fort politikisht, është kontributi më i mirë për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e sistemit", - theksoi Patozi.