Ina Rama: Na pengon imuniteti për të hetuar zyrtarët
Tiranë- Kryeprokurorja Ina Rama ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve për gjendjen e kriminalitet në vendin tonë për vitin e shkuar.
Sipas zonjës Rama hetimet për zyrtarët e lartë nga ana e prokurorisë janë penguar nga imutineti edhe pse zonja Rama shtoi se prokurorët në këto vite e kanë rritur ndjeshëm pavarësinë.
“Dy standarde, të cilat nga njëra anë kalçifikojnë kulturën e pandëshkueshmërisë dhe nga ana tjetër përkëdhelin të fortët dhe të pushtetshmit”- u shpreh deputeti socialist Sajmir Tahiri.
“Rekomandoj heqjen e imunitetit, e bej këtë rekomandim lidhur me pozicionin e prokurores dhe them se nëse ka një fenomen, që duhet ndëshkuar nga ky pozicion është ai që ka të bëjë me imunitetin, sepse është aktiviteti abuziv. Ndërkohë që ndoshta sistemi mundet t’i nënshtrohet edhe reformave të tjera të natyrës legjislative”- tha zonja Ina Rama.
Ajo theksoi se vjedhjet janë rritur për shkak se nuk ndëshkohen autorët. ‘Për rritjen e vjedhjeve nuk është faji i prokurorisë’- tha zonja Rama duke shtuar se Ministria e Drejtësië shpesh ka bërë kontrolle jashtë kompetencave. ‘Në konkluzionet e saj ka qëndrime hipotetike, imagjinare, të pabazuar në fakte’- shtoi Rama.
Ndërkaq deputeti i opozitës Bashkim Fino tha se një cënim i madhi demokracisë është vjedhja e zgjedhjeve, dhe sipas tij s’ka ende asnjë të dënuar për paditë për abuzim me zgjedhjet.
“Zonja prokurore në vitin 2011 ju keni regjistruar 25 procedime penale nga të cilat 14 të pandehur. Nga këta po vihet re që asnjë prej tyre nuk po dënohet. Dua të di reagimin tuaj dhe të institucionit që ju drejtoni për mosdënimin e asnjë të pandehuri që ka cënuar zgjedhjet e lira dhe që deformon zgjedhjet”- tha Fino.
Teksa zonja Rama u përgjigj: “Ne kemi ngritur akuza dhe mendojmë që akuzat tona duhet të qëndrojnë. Pjesa e procesit gjyqësor dhe vendimmarrja e gjykatës është një gjë që duhet ta presim ende, përsa kohë nuk kemi një statistikë”.
Ndër të tjera kryeprokurorja ka shtuar se koefiçenti i kriminalitetit është në rritje duke theksuar se është rritur numri i çështjeve të dërguara për gjykim ndërsa është ulur numri i çështjeve të pushuara.
Hetimi i ’21 Janarit’ ishte një tjetër çështje kyçe e mbledhjes së Komisionit për të cilin u tha shumë pak, teksa Rama tha se gjithçka është dërguar në gjykatë.
Ndërkohë së fundmi një mandat i dytë apo jo i zonjës Rama në krye të akuzës shqiptare është hapur. Dje maxhoranca ka deklaruar sot se largimi i kryeprokurores Ina Rama do të jetë në Nëntor, siç parasheh mandati i saj, duke lënë të kuptohet se shumica nuk mbështet një rizgjedhje të zonjës Rama në postin më të rëndësishëm të akuzës.
Në një prononcim për mediat ish- ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se Ramës i mbaron mandati në nëntor të këtij viti, dhe sipas tij ajo nuk do të jetë më në krye të organit të akuzës, pasi nuk do ti mundësohet një rikandidim i dytë.
Për përfundimin e mandatit të saj 5- vjeçar foli edhe presidenti i ri, Bujar Nishani, i cili nuk dha asnjë koment nëse ajo do të jetë pjesë e Prokurorisë së Përgjithshme. Por më herët Ina Rama ka deklaruar se nuk do të kërkojë një rikandidim për të rimarrë një mandat të dytë në postin e kryeprokurorës shqiptare.
/IDEA/