E Diel, 1 Nëntor 2026

KE: Shqipëria ska përmbushur as kushtet minimale për statusin

Bruksel- Komisioni Evropian vlerëson se Shqipëria nuk ka përmbushur ende as kushtet minimale për marrjen e statusit kandiat në Bashkimin Evropian në vjeshtën e këtij viti.

Kreu i Njësisë për Shqipërinë në KE, Vassilis Maragos në takimin përgatitor të Komitetit të Stabilizim Asocimit Parlament Evropian-Shqipëri deklaroi se zbatimi i marrëveshjes së Nëntorit të politikës shqiptare, zgjedhja e Presidentit dhe arritja e një sërë rezultatesh të prekshme janë kushtet minimale për propozimin për dhënien e statusit kandidat.

Kushte të cilat iu paraqitën autoriteteve shqiptare gjatë vizitës së Komisionerit për Zgjerim në BD, Stefan Fule gjatë vizitës që pati në muajin Maj në Shqipëri.

Këto ishin tre çështjet kryesore të cilat Shqipëria duhet ti përmbushë për të lëvizur në rrugëtimin e saj evropian. Por ku qëndrojmë sot? Për zgjedhjen e Presidentit, mendoj se të gjithë në këtë sallë e kemi ndjekur nga shumë afër, dhe siç është përmendur nga disa zyrtarë të BE-së, Kushtetuta u respektua në përgjithësi. Por gjithsesi ka disa shqetësime për ndikimin që kjo zgjedhje ka patur, apo mund të ketë në të ardhmen mbi dialogun politik të vendit. Ne besojmë se kjo është diçka mbi të cilën aktorët politikë duhet të përqëndrohen, për të garantuar se do të ruhet me të vërtetë dialogu politik. Por kushti më kyç dhe më parësor, i cili do të ndikonte edhe mbi dialogun politik por edhe pjesën e mbetur të reformave, është plotësimi i Marrëveshjes së Nëntorit. Dy çështjet kryesore u përmendën edhe nga ambasadorja dhe besoj se të njëjtin opinion ndajnë dhe të gjitha vendet anëtare, se ky është minimumi që duhet të bëjë Shqipëria në disa javët e ardhshme, për të ruajtur dialogun politik por edhe për të krijuar kushtet për kryerjen e reformave të mbetura. Është e rëndësishme që aktorët politikë shqiptarë, si qeveria dhe opozita, nga pozicionet e tyre respektive pasi ne nuk asimilojmë përgjegjësitë e dy palëve, por të dyja palët kanë interesin dhe përgjegjësinë të punojnë sëbashku për të mbyllur këto çështje që mbeten pezull. Kjo është absolutisht e domosdoshme dhe absolutisht thelbësore për ecurinë e Shqipërisë drejt BE-së- tha Maragos.

Teksa vlerësoi pozitivisht zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe votimin e ligjeve me 3/5. Ne patëm emërimin e Avokatit të Popullit përmes një proçesi konsensual e kjo përbën një nga nga zhvillimet më pozitive në Shqipëri që prej vitit të kaluar, do të thoja unë, për mënyrën sesi u bë, për proçesin gjithëpërfshirës, për personin që u zgjodh si Avokat i Popullit si dhe për punën e bërë nga zyra e tij prej marrjes së detyrës. Këto muajt e fundit kemi parë një funksionim normal sipas meje të Parlamentit, që prej kthimit në shtatorin e kaluar të Partisë Socialiste në seancat plenare dhe në komisione, një zhvillim shumë pozitiv dhe që ka mundësuar vazhdimin e bashkëpunimit. Kjo mundësoi votimin e të gjitha ligjeve që kërkojnë 3/5, duke plotësuar një prej 12 kritereve- tha Maragos më tej.

Ndërkohë që komiteti ndërparlamentar pritet të mbahet më 11 dhe 12 Korrik në Bruksel zoti Kukan tha se beson se situata po përmirësohet ndaj duhet mbajtur një takim standart dhe mëse normal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›