Ina Rama: Pikat ku cenohet prokurori
Kryeprokurorja kundërshton dy nene të draftit, që cenojnë figurën e prokurorit
TIRANË- Konsensusi i arritur mes pozitës dhe opozitës, nuk është shtrirë dot edhe mes Ministrisë së Drejtësisë, si nismëtare e projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” dhe vetë organit të akuzës si institucioni, për të cilin bëhen këto ndryshime. Në këtë mënyrë, megjithëse kanë shmangur replikat direkte, kreu i Ministrisë së Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe Kryeprokurorja Ina Rama, të ulur në krah të njëri-tjetrit kanë debatuar nëpërmjet argumenteve të sjella përpara Komisionit Parlamentar të Ligjeve.
Imuniteti
Ndërsa ka vlerësuar në tërësi frymën e projektligjit, Kryeprokurorja Ina Rama ka shprehur shqetësim vetëm për dy çështje që, sipas saj, cenojnë figurën e prokurorit, qoftë kundrejt elementëve që janë objekt i punës së saj, ashtu edhe kundrejt ekzekutivit. Pika e parë, për të cilën ajo është shprehur kundër, ka qenë shfuqizimi i nenit 36 të ligjit aktual, nëpërmjet të cilit hiqet mbrojtja e prokurorëve nga procedimi penal, ose siç është quajtur ndryshe pika ku vendoset imuniteti i prokurorëve. Sipas Ramës, një shfuqizim i tillë është i panevojshëm, pasi, sipas saj, kjo do të japë një impakt negativ, pasi do t’i vërë prokurorët në pozitë të vështirë në raport me konfliktet e rrugës. “Mendoj se shfuqizimi i këtij neni do të japë impakt negativ, pasi i nxjerr prokurorët përballë abuzivitetit të rrugës kur janë në krye të detyrës. Në rast se shfuqizohet ky nen, do të kemi një gjendje arresti për prokurorët, e cila edhe nëse ndreqet nga Prokurori i Përgjithshëm, do të bëhej publike dhe do të sillte një imazh negativ në opinionin publik”, - tha Kryeprokurorja. Por, për këtë pretendim, ministri i Drejtësisë Enkeljd Alibeajm është shprehur se nuk ka vend për panik, pasi edhe në rastet e hetimeve, prokurorët do të arrestohen vetëm nëse do të ketë një urdhër nga ana e Prokurorisë, i cili është organi që pret flet arrestet.
Raporti
Objekt i gjatë debati ka qenë edhe çështja e raportit për punën e Prokurorisë që mund të hartojë dhe të raportojë përpara Kuvendit ministri i Drejtësisë. Për këtë pikë, Rama nuk ka nguruar të deklarojë se, nëpërmjet këtij raporti dhe dhënies së të drejtës ministrit për të propozuar masën disiplinore, organi i akuzës vihet në një varësi direkte të ekzekutivit, ndërkohë që Kushtetuta sanksionon ndryshe. “Në rast se dilet me dy raporte, pra një ministri dhe një nga prokurori, Kuvendit i duhet të votojë vetëm njërin dhe unë mendoj se Parlamenti do të miratojë raportin e paraqitur nga ministri i Drejtësisë. Pikërisht ky nen është një vegël që kërkon të vërë Prokurorin e Përgjithshëm në mes të një debati politik dhe publik, ku ky institucion do të gjendet nën presionin e qeverisë. Me këtë nen dalim jashtë Kushtetutës, e cila e parashikon institucionin e Prokurorisë si apolitik, të pavarur dhe që kontrollon veten”, - tha Ina Rama. Një arsye tjetër, për të cilën organi i akuzës ka kundërshtuar të drejtën e ministrit për të paraqitur raport në Kuvend, është edhe fakti se nëpërmjet tij mund të dalin të fshehtat e hetimeve që organi i akuzës ka kryer për çështje të ndryshme. “Arsyeja e dytë që jemi kundër këtij neni, është se raportimi në Kuvend i ministrit të Drejtësisë do të bëjë publike disa hetime që janë sekrete dhe do të cenojë sekretin e hetimit të procedimeve penale të ndryshme që mund të rihapen në të ardhmen”, - tha Ina Rama, duke ftuar deputetët që të reflektojnë. Ndërkohë që, edhe për këtë shqetësim, ministri Alibeaj ka sqaruar komisionin se bëhet fjalë për një të drejtë që ministri e ka edhe sot, por e vetmja e re që shtohet në këtë drejtim është vetëm e drejta e propozimit të masës disiplinore, pikë e cila, në fund të mbledhjes së djeshme, duket se gjeti një zgjidhje të mesme, duke i lënë institucionit të ministrit vetëm të drejtën për të propozuar fillimin e procedimit disiplinor.