Irak, humb jetën një i ri nga Tetova
Një i ri nga Tetova ka humbur jetën gjatë shpërthimit të një kamioni në Irak në kampin Summerall në afërsi të qytetit Begji (rreth 200 kilometra në veri të Baghdadit). Viktima është shtetasi Mersim Ademi nga Tetova. Lajmin e bëri të ditur Kompania Ecolog, punëtor i së cilës ishte riu nga Tetova. “Me keqardhje të madhe e informojmë opinionin se më 24 Dhjetor 2008, në kampin Summerall në afërsi të qytetit Begji në Irak gjatë një fatkeqësie pranë stacionit të karburanteve brenda në kampin ushtarak të ushtrisë amerikane, punonjësi jonë i çmuar, Mersim Ademi, mori lëndime të rënda”, thuhet në njoftimin e Kompanisë Ekolog. Fatkeqësisht, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për të tejkaluar lëndimet e marra, ato ishin fatale., thuhet në njoftim. “Rasti vazhdon të investigohet më tej nga strukturat e ushtrisë amerikane për tu zbardhur në tërësi rrethanat që sollën këtë humbje të madh për ne. Nga ana e Ecologut menjëherë u caktua një ekip emergjence që bëri koordinimin dhe organizimin e transportit të kufomës për në Maqedoni. Pasi u siguruan të gjitha lejet e duhura nga autoritetet ushtarake, me 25/12/2008, kufoma u transportua në Maqedoni dhe iu dorëzua familjes”, thuhet më tej në njoftim. Varrimi i të ndjerit u bë sot në varrezat e qytetit në Tetovë. Mersim Ademi nga Tetova, ka punuar në këtë regjion të Irakut që nga viti 2005. (INA)