Temperaturat nën zero, bllokime rrugësh dhe vështirësi qarkullimi
Moti me temperatura të ulëta, shoqëruar me akuj e ngrica ka veshtirësuar qarkullimin në disa akse rrugore në vend. Qafat rezultojnë shumë problematike, kurse rrugorët këshillojnë qarkullimin me zinxhirë në rrugët problematike për të shmangur problemet e ndryshme. Probleme janë shënuar në veri të vendit, në zonën e Kukësit dhe kryesisht në zonat e Korçës, ku ka pasur edhe reshje dëbore. Gati e pakalueshme është bërë Qafë Krraba në Elbasan, për shkak të reshjeve të borës që kanë nisur të bien.
Elbasani
Probleme të shumta janë shënuar në segmentin Qafë Krrabë -Elbasan. Në këtë rrugë kanë shkuar forca të policisë për të ndihmuar që qarkullimi të jetë i lirshëm.
Vonesat e pengesat në rrugë janë krijuar edhe nga që shumë automjete kanë ndaluar për të vënë zinxhirët, pasi shtresa e dëborës ka arritur mbi 10 centimetra. Policia ka kërkuar që makinat të shmangin këtë rrugë ku dëbora është shoqëruar dhe me mjergull dhe të kalojnë në aksin Elbasan–Durrës,
Mësohet se drejt Qafë Krrabës janë nisur dy makina borëpastruese për të hapur rrugën. Sipas burimeve të policisë, gjendja është rënduar edhe në segmentin Prrenjas-Qafë Thanë, ku shtresa e dëborës kalon mbi 10 centimetra, ndonëse këtu janë vënë në punë dhe dy makina borëpastruese.
Kukës
Aksi kombëtar Kukes-Fushë-Arrës-Pukë, por edhe në rrugët e ashtëquajtura nacionale që lidhin Kukesin me qendrat e komunave malore si Shishtavec, zona e Bushtricës etj kanë qenë problematikë gjatë ditës së sotme. Megjithë vështirësitë në qarkullim që ka shkaktuar akulli në rrugë, për fat nuk janë shënuar aksidente automobilistike.
Arben Basha, përgjgjegjës sektori në Ndermarjen e Rrugeve në Kukes ka bërë të ditur se të gjitha rrugët nacionale dhe rurale të rretheve të qarkut të Kukësit janë të kalueshme. Por nuk ka harruar të kujtojë edhe problemet. Në disa segmente të aksit kombetar Kukes-Qafë-Mali-Fushë-Arrës, sipas Bashës ka shtresa akulli që kanë vështirësuar qarkullimin. “Për këtë vazhdon hedhja e kripës për të bërë të mundur qarkullimin pa veshtirësi në këto rrugë”- thotë ai.
Mirëmbajtja e rrugëve në këtë sezon është emergjente për shkak të lëvizjeve të mëdha, sidomos të emigrantëve kosovarë që qarkullojnë në këtë segment rrugor transit për të kaluar në Kosovë.
Korçë
Qyteti i Korçës dhe rrethinat e saj janë mbuluar nga dëbora e rënë gjatë natës, duke gdhirë dita e sotme. Ndërkohë që temperaturat e ulëta kanë krijuar një shtresë të ngrirë që vështirëson qarkullimin e mjeteve. Në qytet, trashësia e dëborës nuk i kalon 2 centimetra, por në zonat malore si Dardha, Voskopja apo ato në lartësi mbi 1 mijë metra, trashësia e dëborës arrin mbi 5 centimetra.
Rruga Korçë-Dardhë ka qenë e bllokuar, ndërsa ka patur vështirësi për lëvizjen e mjeteve në qafat e maleve si Qafa e Qarrit, Qafë Plloça, Qafë Thana, etj. “Për shkak të reshjeve të dëborës, që kanë krijuar shtresëtë ngrirë në rrugë, lëvizja e mjeteve është bërë e detyrueshme me zinxhirë mbrojtës”- thonë burimet policore.