Rama vizitë në burgun e grave
Tiranë-Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama, ka vizituar sot gratë që vuajnë dënimin në burgun numër 325 në rrugën “Ali Demi” në kryeqytet. Ai ka bashkëbiseduar nga afër me këto gra për tu njohur me gjendjen e tyre. Sipas Ramës institucionet e shtetit si Presidenti apo Kuvendi, duhet t’i trajtojnë me një vëmendje të veçantë rastet e nënave që vuajnë dënimin për vepra të kushtëzuara nga varfëria ekstreme. Kryebashkiaku Rama i është referuar rastit të 75-vjecares, Feride Bako nga Fieri e dënuar me 5 vjet burg për kultivim të lëndëve narkotike. Bashkia e Tiranës ka menduar të dhurojë në prag të Vitit të Ri disa pako me ushqime dhe ëmbëlsira, për ta pasuruar sa më shumë darkën e Vitit të Ri që këto të dënuara do të organizojnë larg familjeve, me urimin se viti 2009 për disa prej tyre mund të sjell dhe falje.