Ina Rama-Topi, lëvizje në Prokurori

Kryeprokurorja Ina Rama dhe Presidenti Topi
Anëtarja e stafit të Presidentit, Fatjona Memçaj, pritet të rikthehet në Prokurorinë e Tiranës.
Propozohet emërimi i shefes së kabinetit të kryeprokurores.
Këshilli i Prokurorisë i ka propozuar krye-prokurores Ina Rama lëvizje në organin e akuzës në një kohë kur brenda pak javësh mbaron mandati i Presidentit Bamir Topi, i cili ka të drejtën e dekretit.
Në një mbledhje të organizuar sipas grafikut të paracaktuar pak ditë më parë, Këshilli i Prokurorisë së Përgjithshme i ka propozuar Ina Ramës emërimin e disa oficerëve në detyrat e prokurorëve, transferimin e disa prokurorëve dhe emërimin rishtazi të disa të tjerëve. Mes emrave që do të hyjnë apo do të rihyjnë në Prokurori është edhe Miranda Bushi, aktualisht shefe e kabinetit të prokurores se Përgjithshme Ina Rama dhe Fatjona Memçaj, ish-prokurore në Tiranë, e cila pak kohë pas zgjedhjes së Bamir Topit si President, la Prokurorinë e Tiranës dhe mori një detyrë në zyrën e kreut të shtetit. Pas mbledhjes së Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme pak ditë më parë, zëdhënësi i organit qendror të akuzës, Plator Nesturi, ka konfirmuar takimin e anëtarëve të Këshillit, por nuk dha informacione të mëtejshme. Megjithatë, jo zyrtarisht, mësohet se kandidaturat e paraqitura në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme kanë qenë të paktën 70. Numri më i madh i tyre kanë qenë oficerë të Policisë Gjyqësore që kanë plotësuar afatin e punës dhe kanë marrë edhe vlerësimet e kualifikimet e nevojshme për tu emëruar prokurorë. Vendet vakante ndërkohë janë vetëm dhjetë, nga të cilat 2 apo 3 në Prokurorinë e Tiranës. Disa burime i thanë gazetës Panorama, se propozimi është që dy nga vendet në Prokurorinë e Tiranës ti zënë shefja aktuale e kabinetit të Ina Ramës, Miranda Bushi dhe ish-prokurorja Fatjona Memçaj, e cila aktualisht është pjesë e stafit të Presidencës. Miranda Bushi ka qenë kancelare në gjykatën e Apelit por pas emërimit të Ina Ramës si kryeprokurore, u transferua në detyrën e shefes së kabinetit të Prokurorisë së Përgjithshme. Zyrtarisht, nga Prokuroria e Përgjithshme nuk konfirmohet ende nëse kryeprokurorja Ina Rama e ka nisur listën për në Presidencë, megjithatë dekretimi i ndryshimeve në fjalë është çështje ditësh, duke qenë se edhe Presidentit, edhe prokurores së Përgjithshme u mbaron mandati brenda vitit, edhe pse në muaj të ndryshëm. Historia e emërimeve në Prokurori, ndonëse më pak e diskutuar sesa ajo e emërimeve në gjykata, ka specifikën e saj. Sipas procedurës, Këshilli i Prokurorisë administron kandidaturat dhe dokumentacionin e tyre dhe pasi analizon të dhënat, hedh në votim emrat e kandidatëve për një detyrë të caktuar. Nëse kandidati merr shumicën e votave, atëherë Këshilli i propozon prokurorit të Përgjithshëm të bëjë emërimin. Kryeprok-urori ka të drejtë të rishikojë propozimet e Këshillit dhe ato që i miraton, sipas ligjit, ia kalon Presidentit të Republikës. Vetëm pasi ky i fundit të firmosë dekretimin në detyrë, kandidati merr emërimin zyrtar në funksionin ku është propozuar. Tradicionalisht, mes prokurorit të Përgjithshëm dhe Presidentit ka pasur një konsensus paraprak para hartimit të listave zyrtare.
Emërimet në Tiranë, për karrierë
Më 17 prill 2012, me propozim të kryeprokurores Ina Rama, Presidenti i Republikës firmosi transferime në prokuroritë e Tiranës, ku erdhën nga rrethet 10 prokurorë, por edhe në Prokurorinë e Durrësit, ku u rrit numri i trupës së prokurorëve. Të dyja këto Prokurori konsiderohen si institucione karriere, ku emërimi në to ka gjithë benefitet e mundshme që nga vlerësimi profesional, por edhe shumëllojshmëria e çështjeve. Krahas dhjetë prokurorëve të transferuar në Tiranë, organika e kësaj Prokurorie pritet të shtohet tashmë me shefen e kabinetit të kryeprokurores dhe anëtaren e stafit të Presidentit, ndërsa priten emërime e transferime edhe në prokuroritë e Lezhës, Kukësit, Kavajës dhe Korçës.
Prokurori i Durrësit, padi për emërimet
Tirane Më 19 maj 2012, prokurori i Durrësit, Dritan Gina, publikoi një padi të bërë në Gjykatë ndaj eprores më të lartë, Ina Rama, në lidhje me emërimet në Prokurori. Padia i referohej Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve, e cila u mbajt në Tiranë më 28 prill 2012, ditë e shtunë, për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit të Prokurorisë. Sipas padisë së prokurorit të Durrësit, kandidimi për anëtar të Këshillit të Prokurorisë i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Sokol Malaj, i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Altin Binaj dhe i drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Besnik Cani, ishte në kundërshtim me ligjin. Pranimi nga ana e prokurorit të Përgjithshëm dhe komisionit të votimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve si kandidatë për anëtarë të Këshillit të Prokurorisë i drejtuesve të prokurorive të rretheve, lejoi zhvillimin e një gare dhe konkurrimi për të njëjtin vend ndërmjet personave me pozita të pabarabarta, jo për shkak të meritës, por për shkak të pozicionit dhe detyrës. Në padinë e tij, prokurori i Durrësit, Dritan Gina, shpjegon se janë zgjedhur anëtarë të Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme drejtues të prokurorive të rretheve dhe njerëz të besuar të Ina Ramës.
TRAZHGIM SOKOLAJ