Topi dekorohet me Urdhrin e Lartë të Mubarakut

Topi dje gjatë takimit me Emirin e Kuvajtit
Presidenti takon në Kuvajt Emirin e Shtetit, sheikun Sabah al-Ahmed al-Jaber al-Sabah.
Mirënjohje Kuvajtit për rindërtimin e sheshit Skënderbej
Presidenti i Republikës Topi u prit dje në një takim të veçantë nga Emiri i Shtetit të Kuvajtit, Sheiku Sabah al-Ahmed al-Jaber al-Sabah, në të cilin ishin të pranishëm princi i kurorës, Navaf al-Ahmed al-Jaber al-Sabah, si dhe autoritete të tjera të larta të shtetit të Kuvajtit. Gjatë takimit të veçantë të zhvilluar pasdite në Pallatin Bajan, në prani edhe të dy delegacioneve respektive zyrtare, kreu i shtetit shqiptar vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke theksuar dëshirën e vullnetin maksimal për nxitjen e bashkëpunimit të frytshëm dypalësh në fushën politike, ekonomike e tregtare, infrastrukturore e energjetike, arsimore e shëndetësore, për ti shërbyer forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy shteteve e popujve tanë.
Në këtë takim, Presidenti Topi shprehu mirënjohjen në emër të shtetit për donacionet personale të Emirit në vendin tonë, siç ishte rasti pas tragjedisë së Gërdecit apo për rindërtimin e sheshit Skënderbej në Tiranë, si dhe për ndihmesën financiare të Fondit Kuvajtian për Zhvillim. Presidenti Topi e ftoi emirin e shtetit të Kuvajtit për një vizitë zyrtare në Shqipëri, ftesa e cilë u pranua me kënaqësi dhe mbetet për tu zhvilluar në një kohë të përshtatshme. Duke theksuar nevojën e rritjes së numrit të shteteve që do të njohin pavarësinë e Kosovës, Presidenti Topi nënvizoi besimin se shteti i Kuvajtit do të ushtrojë influencën e vet tek vendet e tjera arabe për ta zmadhuar hartën e njohjeve të reja të shtetit multietnik, sovran e demokratik të Kosovës. Presidenti i Republikës dekoroi me urdhrin e lartë Gjergj Kastrioti Skënderbeu Emirin e Shtetit të Kuvajtit për merita në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, për solidaritetin e treguar, njerëzor dhe ekonomik në ndihmë të popullit shqiptar; për kontributin e dhënë në financimin e disa projekteve të rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e vendit tonë. Nga ana e tij Emiri i shtetit të Kuvajtit dekoroi kreun e shtetit shqiptar me Urdhrin e Lartë të Mubarakut.
Takimet
Kreu i shtetit shqiptar u prit gjithashtu dje dhe nga kryetari i Asamblesë Kombëtare të Shtetit të Kuvajtit, Ahmed Abdulaziz al-Saadun dhe Kryeministri i Shtetit, sheiku Jaber al-Mubarak al-Hamed al-Sabah. Në këto takime u nënvizua rëndësia e kësaj vizite, e cila do të ndikojë mjaftueshëm që klima e mirë e dialogut politik të përkthehet edhe në projekte konkrete, si për shembull mundësia e vendosjes së një linje direkte ajrore mes dy vendeve tona, por dhe në investime të biznesit kuvajtian në fusha me interes si turizmi, hoteleria, agro-industria etj.