Idrizi-Shehu: Reforma Zgjedhore s’ka dështuar, frymë mosbesimi mes palëve
Pas skadimit të afatit të vënë nga Brukseli për të mbyllur këtë reformë të rëndësishme për integrimin, Shpëtim Idrizi i PDIU shprehet se PD dhe PS gabuan rëndë kur u tërhoqën nga numërimi elektronik.
“Një goditje e kësaj reforme ishte tërheqja nga numërimi elektronik. Ishte ajo që do të shpëtonte zgjedhjet shqiptare nga shumë fenomene të cilat tashmë janë në sytë e të gjithë opinionit publik. Pra, numërues partiakë me mungesë besimi reciprok. Njerëz të cilët 2-3 javë rrinin duke numëruar kutitë në një gjendje skandaloze edhe nga ana njerëzore, por mbi të gjitha procesi i bllokimit të procesit zgjedhor. Ky proces do të vazhdojë të jetë i tillë nëse nuk bëhet numërimi elektronik”, tha Idrizi.
Ndërkohë që negociatat mes dy partive kryesore zhvillohen edhe përtej skadimit të mandatit të komisionit, ndasia kryesore qëndron tek formula e KQZ-së.
“Çdo formulë partiake sigurisht që nuk është ajo që duhet, sepse bëhet fjalë gjithmonë se kush do t’ia hedhë tjetrit, se kush do të ketë mazhorancën apo bllokimin në një proces zgjedhor. Pra, ne jemi totalisht indiferentë ndaj çdo formule, ku çdo formulë do të jetë e pranueshme vetëm për dy forcat e mëdha politike”, shprehet ai.
Pas mbylljes së komisionit të reformës zgjedhore, gjatë javës palët kanë arritur kompromis për përdorimin pjesor të teknologjisë në 2013-ën. Por ky kompromis nuk përfshin formulën e KQZ-së, e cila u ndryshua sërish nga socialistët si dhe procesin e ankimimeve.
Ndërkaq, deputeti i PD-së Tritan Shehu ka deklaruar se pengesë për reformën zgjedhore po bëhet opozita me strategjitë e saj bllokuese.
Duke e vlerësuar si të ezauruar në tërësinë e saj, ai u shpreh se PD është e predispozuar t’u përmbahet të gjitha detyrimeve që shkojnë sinkron me rekomandimet e OSBE-ODHIR. “Po ecet në këtë fushë, janë bërë hapa të mëdha, shumica e materialit është përpunuar në marrëveshje të përbashkët me PS. Ka dy pika ku kemi ngecur, është penguar artificialisht nga opozita. Jam optimist që do ti kalojmë, ne nuk mund të dalim jashtë rekomandimeve të OSBE-ODHIR. Kryeministri është treguar koherent, ku ka deklaruar se do të pranojë të gjitha propozimet që janë në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODHIR. Reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme për të gjithë. Afatet nuk janë kaq të ngutshme, nuk është fundi i botës nëse kodi përfundon 5 ditë më vonë. Nuk shpresoj që opozita ti kthehet luftës së vjetër politike, me të cilën dëmtoi integrimin e vendit në BE, shpresoj të mos ketë një strategji të tillë në sirtar. Shpresoj që halucinacionet të jenë taktike, larg kthimit në një proces bojkoti, do ishte një lëvizje e gabuar e saj”, u shpreh deputeti demokrat.