E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Gërdeci” 1 vjeç, 28 përgjegjësit e tragjedisë në gjykatë

13/03/2009  Kryeprokurorja Ina Rama siguron që dosja më e nxehtë do të trajtohet seriozisht

TIRANE- Dosja voluminoze që hedh dritë mbi misteret e tragjedisë së 15 marsit në Gërdec, pritet t’i dërgohet Gjykatës së Lartë në fillim të javës që vjen. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Kryeprokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, e cila gjatë një prononcimi për mediat ka deklaruar se organi që ajo drejton është shumë pranë dërgimit në gjykatë të 28 të pandehurve që dyshohen se kanë kryer shkelje të rënda gjatë ushtrimit të detyrës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm. Sipas numrit një të akuzës shqiptare, dosja e tragjedisë së Gërdecit ende nuk ka shkuar në gjykatës. Por Rama shtoi se aktualisht grupi hetimor është në përfundim e sipër të të gjitha veprimeve hetimore dhe se brenda këtyre ditëve dosja “Gërdeci”, do i kalojë për gjykim Gjykatës së Lartë. Ndërkohë që burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë se afati përfundimtar i Prokurorisë mbaron në orën 16:00 të datës 17 mars, ditë kjo që 1 vit më parë ka shënuar edhe fillimin e procedimit penal ndaj tre të arrestuarve të parë të tragjedisë së Gërdecit Mihal Delijorgjit, Dritan Minxollit dhe Ylli Pinarit. Nisur nga kjo situatë, por edhe nga nevoja e kryerjes së disa veprimeve të tjera procedurale nga ekspertët e grupit hetimor, ka shumë gjasa që dosja voluminoze me plot 28 të pandehur të shkojë në gjykatë në fillim të javës që vjen. Burimet nuk përcaktuan me saktësi ditën e dërgimit, por theksuan se të hënën ose të martën dosja me emrat e të pandehurve vip të ushtrisë dhe politikës shqiptare do të shkojë për gjykim në Gjykatën e Lartë.

Hetimet, akuzat

Pas 12 muajsh hetimesh intensive për tragjedinë e Gërdecit, grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka vërtetuar se kjo ngjarje shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë. Në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar dhe 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Ndërkohë që burimet nuk pranojnë të japin të dhëna konkrete, por shprehen se volumi i faqeve të kërkesës për gjykim, do i kalojë 60 faqe. Të pandehurit VIP të kësaj dosje janë ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, ish-shefi i shtabit të përgjithshëm Luan Hoxha, zv/shefi Agim Lala, dhe ish-gjeneralët Shpëtim Spahiu, Zija Bahja e të tjerë.

Të arrestuarit:

1. Ylli Pinari

2. Mihal Delijorgji

3. Dritan Minxolli

4. Sokol Ngjeçi

Në gjendje të lirë:

1. Fatmir Mediu

2. Luan Hoxha

3. Shpëtim Spahiu

4. Zija Bahja

5. Fiqiret Mato

6. Lavdi Shatro

7. Rezart Tërshana

8. Besnik Dauti

9. Agim Babameto

10. Gëzim Oshafi

11. Denis Hajdari

12. Jorgo Mino

13. Fatbardh Kuçi

14. Zenun Fero

15. Hysni Cocka

16. Hilmi Lacaj

17. Dashnor Caushi

18. Fari Toska

19. Agim Lala

20. Ndue Marku

21. Ardian Mullai

22. Adriatik Mema

23. Shkëlzen Madani

24. Armand Tartari

Veprat penale:

1. “Shpërdorim detyre” sipas Kodit Ushtarak

2. “Favorizim në tendera”

3. “Falsifikim të dokumenteve”

“Vrasje në rrethana cilësuese të më shumë se 2 personave”

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›