E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filozofia klasike në pasqyrë



Biblioteka e filozofisë e përkthyer në gjuhën shqipe pasurohet me dy tekste udhërrëfyese - “Mendo! Një hyrje sfiduese në filozofi”, nga filozofi kontrovers, Simon Blackburn dhe “Koncepte të hershme të filozofisë”, nga William Jordan. I pari ngre pyetjet më kardinale të kohës sot, midis njeriut dhe botës dhe libri i dytë iu përgjigjet një sërë pyetjeve dhe qëndrimeve të kundërta në mes mendimit klasik të lashtë grek dhe filozofëve të kohëve tona

Pascal-i pohonte me plot gojën te Pensees: “Mund ta konceptoj lehtë një njeri pa duar, këmbë, kokë (pasi vetëm përvoja na mëson se koka është me e nevojshme se këmbët). Por e kam të pamundur ta konceptoj një njeri pa mendim; do të ish thjesht gur apo shtazë...”. Arsyeja është e thjeshtë; njeriu rreh të zbërthejë e t’u japë kuptim çështjeve dhe problemeve themelore që lidhen me ekzistencën e tij në botë dhe mes njerëzve.

Kur Simon Blackburn shkroi “Mendo! Një hyrje sfiduese në filozofi”, kishte menduar gjatë dhe ishte përpjekur për të mbjellë te njerëzit interesin për idetë. Ishte një përpjekje t’i shpjegojë audiencës së gjerë vlerat e njerëzimit në përgjithësi dhe domenin e filozofisë në veçanti. Kështu Blackburn i afrohet kohës së tij, duke nxjerr në pah skepticizmin rreth vlerave të arsimit të lartë, duke ia kthyer në urgjencë botimin e këtij libri, që sot vjen në shqip në kolanën e bibliotekës filozofike të “Logo kronos”, përkthyer nga Sokol Çunga.

Është botim i filozofisë bashkëkohore, që padyshim çështjet ekzistenciale të postmodernizmit bëhen ekzigjenca e botimeve të “Oxford University Press”, 1999.

Dija, arsyeja, e vërteta, liria, fati, identiteti, Zoti mirësia, drejtësia, hidhen si tema jo të burgosura vetëm nga specialistët, por si çështje për të çilat burrat dhe gratë mendojnë në mënyrë të natyrshme, duke çuar mendimet në një hulli si për botën, ashtu dhe për vendin ku jetojmë.

Blackburn siguron se trajtimi i çështjeve të epërme, mëtojnë mënyra të reja të të menduarit, ku me t’u përtypur libri i tij, lexuesit do të arrijnë të kuptojnë edhe mendimtarët më të vështirë. Blackburn është gati një mendimtar kontrovers i filozofisë, duke paralajmëruar në librin e tij një sërë konceptesh që pritet të ndryshojnë qysh nga termi “filozofi” - fjala vjen, ai rreket të të mbushë mendjen se atij vetë ia ka ënda të paraqitet si inxhinier konceptesh. “Sepse ashtu sikurse inxhinieri studion strukturën e objekteve materiale, edhe filozofi studion strukturën e mendimit. Të kuptosh strukturën do të thotë shprehimisht të vështrosh se si funksionojnë pjesët e ndryshme të një realiteti dhe si lidhen me njëra-tjetrën. Do të thotë që të dish se ç’e mirë apo ç’e keqe do të pasojë, nëse do të ndodhin ndryshime në rendin tonë të gjërave. Ky është synimi ynë, kur nisim që të hulumtojmë strukturat që formësojnë këndvështrimin tonë për botën”.

Ky libër qëndron punim më vete dhe nuk vë si kusht leximin e burimeve të tjera. Por autori tregon se leximi mund të zgjerohet, sidoqoftë duke rekomanduar krahas këtij teksti dhe materiale burimore që i citon shpesh nga klasikët që gjenden lehtë si “Mendimet e Descartes”-it, “Tre dialogët” e Berkeley, “Hulumtim rreth të kuptuarit njerëzor”, e Hume-s, ose “Dialogë rreth fesë natyrore”, po nga Hume. Ajo që tërheq vëmendjen është unikaliteti i këtij libri qëndron në faktin se lexohet pa u shoqëruar nga tekste të tjerë, por pas leximit të tij të nxitë se duhen marrë për të lexuar klasikët dhe tekste të tjera, si logjika apo shkrimet mbi etikën, me një mendje disi më të përgatitur. Për çfarë duhet të mendojmë? Mbi këtë pyetje libri filozofik “Mendo! Një hyrje sfiduese në filozofi” reflekton si pasqyrë e filozofisë, duke ngritur disa pyetje rreth vetes të cilat nuk përjashtohen nga askush: Çfarë jam unë? Çfarë është ndërgjegjja? Mund ta kapërcej vdekjen trupore? A mund të jem i sigurt se përvojat dhe ndjesitë e njerëzve të tjerë janë si të miat? Nëse nuk mundem të provoj përvojat e të tjerëve? A mund të komunikoj me ta? A veprojmë gjithmonë të shtyrë nga interesi vetjak? A ekziston mundësia që unë të jem një kukull, e programuar për të bërë gjëra të cilat unë i besoj se i kryej nisur nga zgjedhja e lirë?

Por Blackburn na hedh në vështrimet dilematike rreth botës: pse ekziston gjësendi dhe asgjësendi? Cili është ndryshimi mes të shkuarës dhe të ardhmes? Fakti se ekziston bota, a do të thotë se ekziston edhe një Krijues? Etj., por autori na hedh dhe në ndërthurjen e këtyre pyetjeve të vetvetes dhe botës. Ajo që na “trondit” në këtë grupim pyetjesh bart sigurinë e autorit për të na çoroditur, që janë pyetje që nuk largohen nga ndonjë proces i thjeshtë zgjidhjeje. Blackburn nga siguron se duhet t’i besojmë përgjigjeve të tij. “Më duket se përgjigjja e duhur për to vjen pas një të menduari të thellë. Ndoshta nuk e dimë me saktësi se çfarë po kërkojmë, kur ngremë pyetjen, ose cila do të ishte përgjigjja e duhur. Cila do të ishte e mjaftë për të më treguar se nuk jam kukull që bën gjëra duke menduar se është e lirë të veprojë? Mos vallë duhet të pyesim shkencëtarët që merren me trurin?...”, pra autorin e habit, dhe përpiqet ta transmetojë këtë kur i vjen në mendje se nga dalin këto pyetje të çuditshme. Në fakt përgjigjja vjen tepër e thjeshtë se këto pyetje burojnë nga të menduarit e gjithsecilit, pasi qeniet njerëzore janë të afta ta vrasin mendjen pafund për pyetje lidhur me vetveten. Duke marrë përgjigje mbi këto çështje, reflektimi që na sugjeron Blackburn është të fillojmë dhe të pyesim veten a e dimë se ç’themi, nëse kjo është “objektivisht” e drejtë, apo thjesht pasoja e këndvështrimit apo e “pandehmave” tona rreth një situatë - të gjitha këto patjetër të çojnë në përballjen e çështjeve si dija, objektiviteti, e vërteta dhe ndoshta duke menduar më gjatë mbi to. Këtu e gjen inxhinierinë konceptuale Blackburn për të reflektuar qoftë dhe mbi një bisedë të zakonshme.

Bukën nuk e pjek reflektimi, por as arkitektura, as muzika, as arti, as historia apo letërsia nuk pjekin bukë. Kjo, sipas Blackburn, ndodh vetëm sepse kemi dëshirë të kuptojmë vetveten. Dikush dëshiron të reflektojë dhe kaq. Është koha për të përkëdhelur shëndetin mendor - thërret filozofi modern. Kur shëndetin fizik e kemi të mirë, kënaqësinë e gjejmë tek ushtrimet fizike, dhe kur shëndetin mendor e kemi të mirë, kënaqësinë e gjejmë duke kryer ushtrime mendore. “Kjo është një përgjigje, që vjen nga një mendje e kthjellët. Nuk është përgjigje e gabuar. Problemi i saj qëndron në faktin se është e prirur që t’u vijë për shtat vetëm atyre njerëzve që tashmë janë gjysmë të bindur për rëndësinë e të reflektuarit-njerëz të cilët s’e shtrojnë pyetjen në mënyrë agresive”.

Autori i “Mendo!” merr botën perëndimore për të kuptuar njeriun reflektues, se ne jemi krejtësisht egoistë duke u prirur tek paradigma drejtuese në shkencat shoqërore që është homo economicus-njeriu ekonomik. Njeriu ekonomik që merret vetëm me veten, ndërkohë që ndodhet në një betejë konkurrence me të tjerët. Ata tregojnë më pak besim tek njëri-tjetri, bashkëpunojnë më pak, dyshojnë më shumë. Kjo do ta bëjë më të vështirë, në disa raste të pamundur, të vihen në ndërmarrje të përbashkëta; njerëzit mund të pengohen tek ajo që filozofi Thomas Hobbess (1658-1679) e quajti në mënyrë të paharrueshme “lufta e të gjithëve kundra të gjithëve”.

***

Për Sokratin, përfaqësuesin e padiskutueshëm të frymës dhe të mendimit filozofik të periudhës klasike greke, filozofia ishte hulumtimi rreth mënyrës se si duhet të sillemi dhe të jetojmë denjësisht në jetën e përditshme; për Wittgenstein-in, përfaqësuesin e padiskutueshëm të frymës dhe të mendimit të kohëve tona, filozofia e lë gjithçka siç ish në gjendjen e mëparshme; Libri “Koncepte të hershme të filozofisë” nga William Jordan, përkthyer nga Shpëtim Doda, vjen rreth qëmtimit dhe analizimit të një sërë përgjigjeve dhe qëndrimesh, që disa filozofë të periudhës së lashtësisë shtruan në lidhje me pyetjet: “Çfarë është filozofia”, dhe “Përse na lipset që ta studiojmë filozofinë?”. Jordan na sjell raportin e filozofisë së lëvruar në Greqinë e lashtë me filozofinë që studiohet sot nëpër universitete, po ashtu dhe pikëpamjet e shtruara nga filozofët e lashtësisë në lidhje me natyrën dhe qëllimin e filozofisë që ndryshojnë skajshëm nga pikëpamjet e parashtruara nga filozofët modernë.

Jordan na vë në dijeni se ka një sërë pikëpamjesh që vijnë në papajtueshmëri mes filozofisë antike dhe asaj moderne. Tre pikat kryesore ku mbështetet ky ndryshim, Jordan na i tregon më së pari në faktin se filozofia që lëvrohej në Greqinë e lashtë konceptohej si një fushë hulumtimi me ndikim jo të pakët në jetën e përditshme, në mënyrën e sjelljes dhe asaj të jetës, ndërkohë që sot vlen krejtësisht e kundërta; të pakët janë filozofët që shpresojnë se mund të lënë ndonjë ndikim në jetën e studentëve të tyre. Së dyti, filozofia e lëvruar në Greqinë e lashtë përmblidhte në vetvete një fushë hulumtimi shumë më të gjerë sesa fusha që mbulon filozofia analitike bashkëkohore. Së treti, sipas Jordan, ekziston një ndryshim thelbësor për sa i përket mënyrës dhe formës se si organizohen në jetën e përditshme lëvrimet dhe qasjet në fushën e filozofisë. Në Greqinë e lashtë, filozofët vendoseshin në shkolla rivale, i hynin një garimi të vërtetë, ku secili trumbetonte se kishte arritur ta bënte të vërtetën një monopol të vetin; e kundërta vërehet në rastin e filozofëve të kohëve tona, pjesa dërrmuese e të cilëve janë të punësuar nga universitetet; priren që ta vështrojnë studimin e filozofisë si një qëllim që kërkon bashkëpunim dhe bashkërenditje përpjekjesh.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›