E Diel, 1 Nëntor 2026

Skuadrat përfitojnë 50 milionë euro nga Champions

Edhe gjatë këtij edicioni të Champions League, klubet pjesëmarrëse kanë përfituar mesatarisht 50 milionë euro. Sipas një studimi të "Mastercard", sponsorit zyrtar të këtij trofeu, të ardhurat komerciale janë rritur pavarësisht krizës globale. Shifra prej 50 milionë eurosh lidhet me pjesëmarrjen dhe shpërblimet sipas rezultateve, të ardhurat komerciale nga UEFA dhe të vetë klubeve, shitja e biletave dhe rritja e vlerës së skuadrave. Studimi theksonte gjithashtu se në vitin kalendarik 2009, aktiviteti më prestigjioz për klube ka "prodhuar" 6 miliardë euro për ekonominë europiane. Kjo shifër është e barasvlefshme me fazën finale të Botërorit 2006 të zhvilluar në Gjermani. 50 milionë euro ndahen në 14 milionë për pjesëmarrjen dhe shpërblimet, 12 nga kontratat komerciale të UEFA-s, 8 nga kontratat e vetë klubeve me sponsorët dhe shitjet (fanella, bileta etj.) dhe 6 nga rritja e vlerës së futbollistëve. Bordoja, kampionia e Francës, ka përfituar 11.5 milionë euro si shpërblime për rezultatet e arritura, duke qenë skuadra që ka marrë më shumë. Pas tyre vijnë Çelsi dhe Fiorentina (11.1 milionë euro), Arsenali, Mançester Junajtid, Lioni, Reali i Madridit dhe Sevilja (10.7 milionë euro). Bonuset e UEFA-s për rezultatet janë: 800 mijë euro për një fitore, 400 mijë për një barazim dhe asgjë për humbjet. Skuadra që do të triumfojë në finalet e stadiumit "Santiago Bernabeu" do të përfitojë 31.2 milionë euro vetëm prej shpërblimeve, theksohej në studim. Barcelona, fituese e edicionit të kaluar, përfitoi në total 110 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›