Ina Rama-Vieti: Pavarësia e institucioneve, sfidë për drejtësinë

Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama është takuar sot me nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Italisë Michele Vietti, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Në takim kryeprokurorja Rama bëri një pasqyrë të punës së Prokurorisë Shqiptare duke e vënë theksin te angazhimi i këtij institucioni në rritjen e profesionalizmit, zbatimit me rigorozitet të ligjit dhe shmangia e çdo ndikimi ekstraligjor nga organet e drejtësisë.
Zonja Rama, bëri një dhe një panoramë të institucioneve të drejtësisë, mënyra si funksionojnë dhe ndërlidhen ato me njëra tjetrën, si dhe sfidat me të cilat ndeshet sot drejtësia shqiptare.
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë Michele Vietti, duke vlerësuar rezultatet e Prokurorisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, theksoi se në këto beteja me të cilat ndeshet drejtësia shqiptare, është e rëndësishme që të ruajë pavarësinë e saj.
Më tej, Vietti shprehu interesim për reformën në sistemin e drejtësisë dhe vlerësoi bashkëpunimin midis institucioneve të akuzës të dy vendeve. Në takim, mori pjesë gjithashtu edhe ambasadori i Italisë në Tiranë, z. Massimo Gaiani.