Dallku: Sulmuesi serb e shau Beqirin

Armend Dallku konfirmoi dje për mediat azere se shkaktar i daljes me karton të kuq i Elvin Beqirit ishte sulmuesi serb i Azerbajxhanit, Branimir Subashiç. “Unë jam shqiptar nga Kosova dhe kuptoj e flas lirshëm serbisht, - tha Dallku për “azerifootball.com”, - sulmuesi serb e shau Beqirin dhe ky u detyrua t’ia kthente. Ai nuk shau gjyqtarin”.
-Armend, si iu duk ndeshja ndaj Azerbajxhanit?
“Nuk mund të rri pa përmendur gjykimin e arbitrit gjeorgjian. Madje nuk arrij ende ta kuptoj sesi mund të ndodhë një gjë e tillë në ndeshje mes përfaqësueseve. Për ne ishte shumë e vështirë të luhej në kushte të tilla, por skuadra tregoi pjekuri dhe nuk u thye as para gabimeve më të rënda të gjyqtarit gjeorgjian”.
-Përse mori karton të kuq mbrojtësi juaj?
“Ai pati një debat fjalësh me sulmuesin serb (Subashiç). Unë jam shqiptar i lindur në Kosovë ndaj flas e kuptoj lehtësisht serbisht. Unë e mora vesh se çfarë po fliste ai (Subashiçi). Po kështu, natyrisht kuptova edhe Beqirin. Fjalët e tij ishin drejtuar kundër sulmuesit tuaj, jo kundër gjyqtarit”.
-Si ju duk fusha e stadiumit?
“Shumë e keqe. Siç mësova kjo gjendje ka ardhur sepse në këtë stadium janë luajtur shumë ndeshje dhe cilësia e tapetit ka rënë. Në Shqipëri dhe në Ukrainë fushat janë pa dyshim shumë më të mira. Në një fushë të tillë është e vështirë të tregosh lojë me krijimtari”.
-Në sulm ishte lojtari juaj i shpejtë, Besart Berisha ...
“Po të kishte qenë fusha më e mirë, ai do t’i kishte shkaktuar shumë më tepër probleme mbrojtjes kundërshtare”.
-Na thoni cilët lojtarë të Azerbajxhanit ju pëlqyen më shumë?
“Mes gjithë lojtarëve tuaj, unë dua të veçoj kapitenin Rashid Sadigov si dhe lojtarin me numër 4 (Mahir Shukurov). Kapiteni juaj luan futboll shumë inteligjent, e udhëheq me shumë zotësi mbrojtjen dhe ka një shikim të mirë për lojën. Por ai, ndonëse mbrojtjes del shumë mirë në sulm dhe është, pra, shumë i rrezikshëm. Ai është shumë i përgatitur fizikisht. Unë mendoj se që të dy këta mund të luajnë me shumë sukses në Ukrainë”.