E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama flet për ligjin, firmos antiligjin

Në vend të Kodit Penal, institucioni i akuzës ka kthyer në veprim platformën e Sigurimit të Shtetit.
Gjyqtarë, prokurorë e avokatë të kontaktuar nga gazeta “55”, e klasifikojnë shkresën për vijuar hetimet për rrugën “Durrës-Kukës”, edhe pasi Gjykata ka urdhëruar mbylljen e tyre, si krejt të paligjshme

Prokuroria, në vend të Kodit të Procedurës Penale po përdor platformën e Sigurimit të Shtetit në hetimet ndaj ministrit Basha dhe problemit të rrugës Durrës-Kukës. Krejt në një reagim dyfytyrësh, prokurorja Ina Rama, ndërsa pohoi publikisht se do të zbatonte vendimin e datës 18 të Gjykatës së Faktit dhe do të ndiqte rrugët ligjore në vijim, befasisht dje, me një urdhër nga kryeintrigantë e puçistë, të vjetër e të rinj, lëshojnë një fletë-thirrje të firmosur në faqen e parë nga vetë ajo dhe në faqen e dytë, nga Arben Kraja, ku jo vetëm që e thërret zotin Basha në prokurori, por, i thotë në shkresë, se thirret edhe si i pandehur, për mos me thënë edhe me akuza të shtuara. Procesi politik në këtë rast është krejt i lexueshëm, kur zonja prokurore e sheh lakuriq të vërtetën dhe nuk pyet për të, meqë është në disfavor të zellit të saj politik. Shkeljen e ligjit, lidhur me vendimin e shkallës së parë, për mbylljen e afatit të hetimeve, ajo e ka mësuar që në leksionin e parë, por si duket, këto të fundit janë më të rënda. Nga ana tjetër, zonja prokurore, ka firmosur në fletën e parë dhe ka vulosur, po kështu është e vulosur edhe fleta e dytë, por fleta e parë dhe e dytë, nuk janë të bashkuara nga vula e institucionit, por janë si dy letra bakalli, që nuk mund të thërrasin në prokurori as Ver Llapën, pale një ministër. Veç në qoftë se zonja prokurore nuk e ka bërë këtë, për të thënë nesër, se asaj ia kanë bashkangjitur letrën e saj, vetëm me kapse kancelarie (jo flokësh).
Në kohë, gjithë kjo çështje do të lexohet shumë qartazi, se këtu nuk ka qenë loja vetëm për të ngrënë nga tavolina e shahut, një lojtar politik luksoz si Lulzim Basha, por ka qenë më shumë se kaq, ka qenë beteja për të përdhosur suksesin më të madh të qeverisjes së Partisë Demokratike dhe aktin më të madh historik, pas pavarësisë; ndërtimin e rrugës Durrës-Prishtinë. Tek kjo fle lepuri, të cilin e kanë në bark, të gjithë ata që e sakatosën dhe e çuan në lëngatë kombëtare të gjithë Shqipërinë. Siç thotë populli një shprehje, “po të heqësh një fije kashtë, dalin gjashtë”, edhe këtu do të dalin pas kësaj fijes së kashtës, gjashtë e gjashtëqind arsye e mbërthecka, njerëz tek e tek e çifte, që i kanë shërbyer me zell e para kësaj lufte për të krijuar këtë proces të paqenë dhe për të mbajtur në xhiro këtë aferë politike që më së miri e tregon vektori i rrugës se kujt i prish punë.
Prokurorja flet për ligjin e firmos antiligjin. Deri tani, kjo është emblema e motoja e punës së saj. Sigurisht, që do korrësh çfarë mbjell. Ka vdekur njëherë e mirë koha e njerëzve që shkelin ligjin ose që e duan për vete atë. Duke kontaktuar mbrëmë gjyqtarë, avokatë, prokurorë, të gjithë e cilësonin fletëthirrjen e datës 24, për të rithirrur në prokurori Lulzim Bashën, si krejt të paligjshme. Dhe tamam si një prokurori politike e komunizmit, kjo fletëthirrje nuk i çohet avokatit mbrojtës, sepse zonja Ina Rama nuk e pranon institucionin e avokatisë, sepse ajo ndjehet edhe kryeprokurore, edhe avokate, edhe gjyqtare.
...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›