Projekti prej 450 mijë euro do të vazhdojë deri në vitin 2012

Qeveria e Shqipërisë dhe Qeveria e Suedisë nënshkruan dje një marrëveshje bashkëpunimi, e cila ka si qëllim binjakëzimin e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Shqipëri dhe Lantmateriet (Autoriteti Kombëtar Suedez për Kadastrën, Hartat dhe Regjistrimin). Zbatimi i këtij projekti do të përmirësojë kontrollin e ZRPP-së mbi informacionin që administron, do të sjellë përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave dixhitale dhe analoge si dhe krijimin e mundësive për shkëmbimin e informacionit të pasurive, pra akses më të lehtë në informacionin e ZRPP-së. Marrëveshja u nënshkrua për palën shqiptare nga Ministri i Drejtësisë i Shqipërisë, Enkelejd Alibeaj, dhe atë suedeze, nga Drejtoresha e SIDA-s (Organizata Qeveritare për Dhënien e Ndihmës së Huaj) në Shqipëri, Elisabeth Stam. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të lartë të OSBE-së, Bankës Botërore dhe donatorëve të tjerë, të cilët po mbështesin aktualisht me projekte ZRPP-në. Marrëveshja parashikon asistencë teknike për ZRPP-në në fushën e IT-së për një periudhë katër vjeçare (nëntor 2008- prill 2012) me një fond prej 450 000 euro. Sipas kësaj marrëveshje, Lantmateriet merr përsipër që të projektojë sistemin e kompjuterizuar për ZRPP-në dhe të testojë funksionimin e tij në të paktën një prej ZVRPP-ve (Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.) Ekspertët do të punojnë në katër drejtime kryesore: Disenjimin e zhvillimit të sistemit të kompjuterizuar bazuar në metodën RUP; Ndërtimi dhe përpunimi i fazës transitore nga sistemi analog në sistemin e kompjuterizuar, udhëzimi dhe monitorimi i zhvillimit të sistemit; Zbatimi i proceseve dixhitale të punës në Zyrat e Regjistrimit; Hartimi i strategjisë dhe ndërtimi i kapaciteteve për zhvillimin, menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të IT-së. Ky projekt dhe regjistrimi fillestar i pasurive te paluajtshme janë dy prioritetet kryesore të ZRPP-së, të cilët do të çojnë në transformimin rrënjësor të shërbimit që ofron Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme duke pasur si synim final ofrimin e shërbimit on-line për qytetarët dhe institucionet. ...