Ina Rama harron Diverolin

TIRANË - Hetimi për ngjarjen e Gërdecit dhe gjithçka tjetër që lidhet me të është përqendruar brenda territorit të Shqipërisë, duke lënë thuajse jashtë vëmendjes të huajt që lidhen direkt apo indirekt me këtë çështje. Janë zyrtarizuar tashmë emrat e të paktën tre personave të huaj, dëshmia e të cilëve do t’iu japë jo pak ndihmë hetuesve të çështjes, po të merren parasysh deklaratat e bërë publike prej tyre, qoftë nga bisedat telefonike të regjistruara apo edhe nga prononcimet në mediat shqiptare. Efraim Diveroil, pronari i kompanisë amerikane “AEY”, Henri Tomei, ndërmjetës i shitblerjeve të armëve, shtetas zviceran, i cili dyshohet se bënte ndërmjetësin mes Diverolit dhe Pinarit, si dhe Patrick C. Henry III, pronari i firmës “Southern Ammunition Company” dhe njëherësh bashkëaksioner me Mihal Delijorgjin në firmën “Albademil”, janë emrat e tre personave që do të duhet të dëshmojnë në prokurori. Por edhe pse kanë kaluar 38 ditë nga ngjarja tragjike, prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret në këtë drejtim. Një fakt i tillë konfirmohet nga burime zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se grupi hetimor ende nuk ka çuar një kërkesë zyrtare për asnjë nga tre personat që rezultojnë në listën e dëshmitarëve. Një “pasivitet” i tillë nga grupi hetimor, sipas burimeve, shpjegohet se nuk ka ardhur ende koha që dëshmitë e dy amerikanëve dhe një zvicerani të bëhen pjesë e dosjes voluminoze, pasi hetuesit e çështjes më shumë janë përqendruar në pjesën shqiptare të çështjes. Burimet zyrtare thanë se deri tani janë ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit në lidhje me Diverolin, i cili së shpejti do të pyetet në Kongresin Amerikan, pas dështimit të seancës së parë, por kjo dëshmi nuk do t’i shërbejë shumë grupit hetimor. “Pavarësisht dëshmisë që Diveroli do të japë para Kongresit Amerikan, prokuroria do të kërkojë dëshminë e tij në momentin e duhur”, - thanë burimet, të cilat saktësuan se deri ditën e djeshme nuk është bërë asnjë veprim konkret në këtë drejtim. E njëjta situatë paraqitet edhe për Patrick C. Henrin III, pronari i kompanisë “SAC”, i cili kishte kontratën me ndërmarrjen “Meico” për demontimin e një sasie të konsiderueshme municionesh. Gjatë deklarimeve publike, bashkëaksioneri i Delijorgjit mohoi të kishte një kontratë të dytë me ndërmarrjen shtetërore për demontimin e municioneve të kalibrit të madh, duke deklaruar se ai vetë nuk ka firmosur asgjë të tillë. Ndërsa Efraim Diveroli në disa biseda të regjistruara mes tij dhe Kosta Trebickës, ka hedhur akuza të drejtpërdrejta mbi atë që ai e quan mafie. “Kjo mafie është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafie. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë...”, - ka thënë Diveroli gjatë një bisede telefonike me biznesmenin shqiptar Kosta Trebicka. Por me gjithë këto deklarata të bëra publike, prokuroria mendon se ende nuk ka ardhur momenti të merren në pyetje njerëzit që mund të nxjerrin hetimin nga plogështia 40-ditore.