Spahiu: Ne gjyqtarët s'dimë të flasim
TIRANË - Këshilli i Lartë i Drejtësisë pas diskutimeve mbi kandidaturat dhe platformat e paraqitura nga 21 gjyqtarë, të cilët garonin për shtatë vende vakante, vendosi të përzgjedhë dhe zyrtarizoi emrat e shtatë fituesve për këtë post. Pas dëgjimit dhe studimit të platformave të kandidatëve, KLD-ja vendosi të votojë Flamur Kapllanin në krye të Gjykatës së Kukësit, Alfred Gjonin kryegjyqtar në Kurbin, Fjoralba Priftin në Lezhë, Artan Çupin në Mat, Niko Rapin në Pogradec, Shtjefën Lleshin në Pukë dhe Dritan Seci do të jetë kryetar i Gjykatës së Tropojës. Përzgjedhja dhe votimi i këtyre emrave sipas KLD-së, iu nënshtrua një procesi rigoroz, ku gjithsecili nga kandidatët kishte të drejtë të shprehte platformën dhe idetë e tij për të rejat që do të sillte në drejtimin e gjykatës. Me gjithë seriozitetin e fushatës, sërish nuk munguan ngjarjet pikante apo kritikat për performancën e kandidatëve për kryetarë gjykatash. Zëvendëskryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, shprehu pakënaqësitë e tij në mënyrën e komunikimit të gjyqtarëve. “Si mund të jetë procesi gjyqësor, kur gjyqtari flet si miza në qyp”, - tha Spahiu, i cili kërkoi nga Shkolla e Magjistraturës që të zhvillojë trajnime me gjyqtarët, pasi 70 për qind e tyre nuk plotësojnë parametrat e komunikimit. Por gjatë prezantimit të platformave nga 25 gjyqtarë, 4 prej tyre preferuan të tërhiqen nga gara. Agron Papajani, kandidat për kryetar gjykate në Pogradec, pasi parashtroi platformën e tij, vendoi të tërhiqet, ndoshta nga pyetja e zëvendëskryetarit të KLD-së, nëse do të hiqte dorë nga padia për KLD-në, në rast se do të bëhej kryetar gjykate. Papajani, i cili ndodhet në një proces gjyqësor me Këshillin e lartë të Drejtësisë, për shkak të një mase disiplinore, tha se masa e marrë nga KLD-ja është e padrejtë dhe preferoi të tërhiqej nga gara, sesa të hiqte dorë nga padia. Gjithashtu, nga gara për kryetar gjykate u tërhoqën dhe kandidatët Granit Qypi, për Gjykatën e Kukësit dhe Dedë Miri e Gramoz Levanaj për Gjykatën e Kurbinit.