Papa me këpucët e kuqe

Papa Benedikti XVI i dha dje fund vizitës së tij 6-ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku la mbresa të thella. Natyrisht ai nuk është një yll mediatik si paraardhësi i tij, e megjithatë Racinger arriti të bënte për vete amerikanët dhe t’u ngjallte atyre interes për Vatikanin. “Papa me këpucë të kuqe” - shkruanin gazetat amerikane, pasi të gjithë e vunë re këtë detaj tepër të veçantë. Ashtu si paraardhësi i tij, edhe papa Benedikti XVI mban këpucë të kuqe. Në fakt, amerikanët nuk dinin shumë për Papën, përveç ndoshta faktit se është gjerman. Mosnjohuria nuk ka të bëjë me injorancën apo mospërfilljen e qëllimshme kundrejt “Evropës së Vjetër”, por me faktin se shumica e amerikanëve janë protestantë, ndonëse nga 300 milionë qytetarë amerikanë, 70 milionë prej tyre i përkasin fesë katolike. Por edhe ata që dinë më tepër për Papën, nuk prisnin shumë nga kjo vizitë. Por Benedikti i surprizoi amerikanët në mënyrë pozitive. Që përpara se të shkelte në “Tokën e Lirisë”, ai u mor me këtë temë dhe u shpreh përpara televizioneve amerikane se ndjen turp për atë që ka ndodhur. Kjo ishte një deklaratë e mençur dhe aspak spontane që i solli Papës një publik të madh, i cili mbeti sërish i mrekulluar kur Papa u takua me viktimat e skandalit dhe gjatë meshës që zhvilloi në katedralen “Shën Patrik”, ai i bëri thirrje kishës së tij që të vetëpastrohet. Por Benedikti i habiti amerikanët edhe me veprime të tjera. Ai vizitoi një sinagogë në Nju-Jork dhe u përshëndet atje me respekt dhe dashamirësi. Benedikti XVI i dha fund vizitës së tij në SHBA me një meshë madhështore në stadiumin e famshëm “Jenki” të Nju Jorkut. Pasi vizitoi “Ground Zero”, vendin ku ndodheshin kullat binjake, që u shkatërruan nga sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001, Papa mbajti një meshë në stadiumin “Jenki” të qytetit, të mbushur me rreth 57 mijë besimtarë. Njerëzit valëvisnin shami të bardha dhe të verdha, që janë ngjyrat e Vatikanit, dhe brohorisnin në mbështetje të Papës, me të njëjtin entuziazëm që zakonisht u rezervohet koncerteve të rrokut. Në fjalën e lutjeve, Papa Benedikti trajtoi çështjen e bashkimit, që ka qenë temë e vizitës së tij. “Në tokën e lirisë fetare katolikët gjetën liri jo vetëm për të praktikuar besimin e tyre, por edhe për të marrë pjesë plotësisht në jetën qytetare, duke sjellë bindjen më të thellë morale në aspektin shoqëror dhe në bashkëpunim me fqinjët e tyre që i dhanë formë një shoqërie dinamike dhe demokratike”, - u shpreh ai.