E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e të mbijetuarve të Gërdecit, tërhiqet qeveria

Është shtyrë për një javë largimi i familjarëve të strehuar në Shtëpinë e Pushimit Durrës. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar një ditë më parë, qëndresa e banorëve i ka detyruar zyrtarët të tërhiqen përkohësisht, të cilët janë deklaruar të padisponueshëm për një komunikim mediatik. Ora 12:00 e ditës së djeshme që pritej me ankth nga të gjithë për atë që do të ndodhte ka rënë duke sjellë me vete dhe vendimin e ri. Familjarëve u është servirur vakti i drekës, ndërsa një ditë më parë, të shtunën, ishin lajmëruar me qendër zëri se pas orës 08:00 të gjitha shërbimet për to do të ndërpriteshin. Nuk ka qenë zemërgjerësi, thjesht një zgjidhje momentale së cilës do t‘i paraprijë çelja në fillimjavë e sporteleve në Bashkinë e Vorës për të tërhequr paratë e premtuara. Me tërheqjen e tyre, familjet janë të detyruara të largohen drejt strehës së re që do e sigurojnë nëpërmjet marrjes me qira. Komunikimi zyrtar u është bërë qindra banorëve, kryesisht nga fshatrat Gërdec dhe Marqinet, nga drejtori i Shtëpisë së Pushimit, Muzli Shala, gjatë orarit të drekës. Rezistenca e banorëve, si dhe insistimi i pakuptueshëm i Ministrisë së Brendshme për të hedhur në rrugë qindra persona kanë zgjatur kohëqëndrimin e familjeve të prekura nga shpërthimi i Gërdecit në ambientet e kësaj shtëpie. Loja e luledeles vazhdon dhimbshëm për familjarët, që ndodhen nën presionin e qeverisë. "Asnjë prej nesh nuk ka dëshirë të qëndrojë këtu. Është absurde që protestën tonë e gjykojnë keq. Ne duam të kthehemi në shtëpitë tona, pasi nuk i kishim borxh askujt të na shkatërronte jetën dhe të merrnin veç plaçkat e trupit në rrugën drejt shpëtimit nga shpërthimet dhe territori i ndotur nga predhat", thonë për gazetën banorë të Gërdecit që janë vënë në krye të protestës. Ndërsa drejtuesit e Shtëpisë së Pushimit ndihen nën presionin e eprorëve të tyre që urdhërojnë nga Tirana. Albin Mexha dhe Adriatik Babaliu janë dy të rinj, ish-punëtorë të fabrikës famëkeqe të demontimit në Gërdec. Ata janë kthyer në aktivistë të lëvizjes "Mjaft" dhe së bashku me të kanë organizuar protestat e ditëve të fundit kundër vendimit të qeverisë për largimin e banorëve të strehuar nga ambientet e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme. Prej dy ditësh, dera kryesore e kësaj shtëpie është kyçur fort dhe keqazi për gazetarët dhe aktivistët e "Mjaft"-it, por jo për pushuesit që mbërrijnë këtu me automjete të ndryshme. Që në orët e para të mëngjesit të djeshëm, interesimit të gazetarëve u janë përgjigjur fytyrat nervoze të punonjësve të policisë Kaloçi dhe Osmanaj, të cilët theksonin se futja e të tretëve, që ishin gazetarët dhe aktivistët e "Mjaft"-it, do të bëhet vetëm në rast se në Shtëpi do të ketë ndonjë aktivitet. Në të kundërt, prania e tyre konsiderohet e padëshirueshme. Elisa Spiropali, drejtuese e politikave pranë lëvizjes qytetare tha për median se është e pafalshme që të hapësh dyert për pushuesit dhe t‘i mbyllësh ato për njerëzit në nevojë dhe ata që pasqyrojnë zërin e tyre. Ditën e djeshme, një furgon largoi nga konvaleshenca dy familje të tjera. Të vëna nën presionin psikologjik të nxjerrjes jashtë, ato zgjodhën të largoheshin pa u bërë pjesë e zhvillimeve që nuk premtonin asgjë të mirë. Ndërkaq, ata që rezistuan kanë afat një javë për të tërhequr paratë në sportelet bashkiake, për të gjetur shtëpi dhe larguar nga Durrësi. E hëna e javës tjetër duhet ta gjejë të boshatisur Shtëpinë e Pushimit, e cila do të bëhet gati për të pritur pushuesit e vet me grada dhe pa to.

Fëmijët e Gërdecit, në shtëpi për 1 Qershorin

Ndërsa festa e tyre po trokiste dhe ditët prisnin t‘i zinin vendin njëra-tjetrës, afro 100 fëmijë që jetojnë prej dy muajsh në ambientet e Shtëpisë së Pushimit nuk dinin ku do të festonin 1 Qershorin, ditën e tyre. Frika e transmetuar nga qendra e zërit se ata duhej të dilnin jashtë bashkë me prindërit e tyre ka mbërthyer dhe ata. Dy ditë më parë, Shoqata e Grave me Probleme Sociale, Misioni Pa Kufi Shqipëri dhe Aleanca për Fëmijë Durrës u mundësuan një atmosferë festive me ëmbëlsira dhe dhurata simbolike, po ditët në vijim i përballën rishtas me realitetin e zbatimit të një vendimi absurd qeveritar. Fëmijët janë ndier të cenuar këto ditë në të drejtën e tyre themelore, atë për strehim. Përballen në mënyrën e tyre me shqetësimin e prindërve për fatin e familjes kur të nxirren jashtë dyerve të Konvaleshencës dhe komentojnë si të mëdhenj. Festa harrohet në përballje me realitetin e trishtë. Të paktën ditën e djeshme nuk e kaluan në rrugë.

Aktivistë të lëvizjes takojnë të mbijetuarit e Gërdecit në Konvaleshencë

"Mjaft!": Dëbimi, agresion kriminal i qeverisë

Dëbimi i të mbijetuarve të Gërdecit nga shtëpia e pushimit e Ministrisë së Brendshme dhe Mbrojtjes, në Konvaleshencë në Durrës, është agresion kriminal i radhës që qeveria po u bën. Deklarata është lëshuar nga Elisa Spiropali, aktiviste e "Mjaft!", e cila në ditën e fundit të afatit të përcaktuar më parë, për largimin e të mbijetuarve të Gërdecit nga Konvaleshenca takoi të strehuarit jashtë derës së hekurt të shtëpisë së pushimit. Sipas njoftimit të lëvizjes "Mjaft!" të mbijetuarit deklaruan se u është komunikuar nga administrata e Konvaleshencës se koha e largimit u është shtyrë edhe me një javë tjetër, kundrejt pagesës prej 25 mijë lekë në muaj, e cila do të fillojë t‘u shpërndahet brenda javës, sipas autoriteteve të kampit të pushimit. Aktivistët e lëvizjes thanë se pushues me leje kalimi të Ministrisë së Brendshme, disa syresh vetëm me mbathje banje, hynin e dilnin me automjetet e tyre për të shkuar në plazh. "Të strehuarit në Konvaleshencë dhanë dëshmi për një presion psikologjik të vazhdueshëm nga autoritetet aty, duke nisur nga njoftimet kolektive përmes një qendre zëri, ku u komunikohej të largoheshin e të pastronin dhomat, përndryshe do t‘u ndërpriteshin shërbimet elementare: ushqim, ujë, energji elektrike, e deri te komunikimet e vazhdueshme në mënyrë private mbi mungesën e alternativave të tjera, përveç largimit", thuhet në njoftimin e lëvizjes "Mjaft!". Sipas tyre, dëbimi i të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit kryhej për ta vënë Shtëpinë e Pushimit në dispozicion të zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, në mënyrë që këta të fundit të mund të pushonin falas në dëm të të strehuarve aty, me rastin e afrimit të pushimeve të verës. "Lëvizja ‘Mjaft!‘ është e qëndrimit se ky akt është anormal, amoral dhe bie ndesh me premtimet e Kryeministrit për një rehabilitim të plotë të viktimave të tragjedisë, për të cilën, përgjegjësia kryesore bie mbi vetë qeverinë. Gjithashtu, ky veprim është dëmshmi e mungesës së një strategjie e vizioni të qartë të institucioneve shtetërore mbi një kompensim normal material e fizik të të mbijetuarve", përfundon deklarata e lëvizjes.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›