E Diel, 1 Nëntor 2026

Ina Rama kërkon imunitetin e Paturrit

 Deputeti i Partisë Republikane, Hajrullah Paturri, akuzohet për goditje për shkak të detyrës. Pritet vendimi i Kuvendit

Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit që rrahu arbitrin

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme i nis kërkesën e tretë për këtë vit, Kuvendit të Shqipërisë, duke kërkuar imunitetin e një tjetër deputeti. Hajrullah Paturri, deputet i Partisë Republikane për Fushë-Krujën, rrezikon të humbasë imunitetin e tij, për shkak se akuzohet për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës konfirmuan për “Shekullin” se pas hetimeve disamujore janë ngritur dyshime të forta se deputeti Paturri ka kryer vepër penale ndaj arbitrit Shkëlqim Guçe, pas përfundimit të ndeshjes së futbollit Iliria – Albpetroli. “Nga hetimet e kryera paraprakisht, ka rezultuar se shtetasi Hajrullah Paturri, me detyrë funksionale deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i zgjedhur në 3 korrik të vitit 2005 në Fushë- Krujë ka kryer elementët e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës” ndaj arbitrit të ndeshjes së futbollit Iliria – Albpetrol, shtetasit Shkëlqim Guçe”,-thuhet nga burimet e prokurorisë.

***

Deputeti Paturri, në fund të muajt mars, pas ndeshjes Iliria – Albpetrol rrahu arbitrin lushnjar Guçe dhe më pas u shpreh krenar për këtë akt para mediave, duke pranuar rrahjen e arbitrit. “E rraha unë arbitrin, por ai e meritoi me atë gjykim që bëri”,-pati thënë Paturri para medias, duke i habitur të gjithë, pasi njeriu i zgjedhur nga populli për ta përfaqësuar në parlament pranoi me krenari se kishte rrahur një arbitër, duke krijuar një precedent të rrallë në botën e futbollit shqiptar. “I gjithë shkaktari i kësaj gjendjeje është gjyqtari dhe pasojat ishin të mëdha. E vërteta është se gjyqtarin e godita unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër. Asnjë futbollist mik nuk është goditur. Jemi ndarë si miq në fund të ndeshjes”, -do të deklaronte Paturri, gjatë konferencës për shtyp të organizuar pikërisht për këtë çështje. Sipas prokurorisë, provat që implikojnë deputetin Paturri në kryerjen e këtij akti të shëmtuar janë: kaseta filmime e regjistruar pas ndeshjes ku deputeti Paturri shihet qartë duke goditur arbitrin dhe duke nxitur dhunën ndaj tij, kallëzimin e arbitrit Shkëlqim Guçe, filmimet e medias ku deputetit Paturri deklaron nga foltorja e zyrave të Kuvendit se e ka rrahur arbitrin, si dhe letra e tij, dërguar Kuvendit ku kërkon falje për veprimin e kryer.

***

“Pas verifikimeve të këtyre provave dhe qartësimit të pamjeve filmike të regjistruar nga një kamera amatore gjatë ndeshjes Iliria – Albpetrol, është vërtetuar se deputeti Hajrullah Paturri, përveç nxitjes së dhunës ka qenë vetë edhe protagonist i saj, duke goditur arbitrin Shkëlqim Guçe pas përfundimit të ndeshjes”,-thuhet nga akuza. Sipas këtyre burimeve, këto pamje janë vërtetuar edhe nga vetë deputeti Paturri, kur në fund të majit doli edhe para mediave duke pranuar se është ai “boksieri” që e ka grushtuar arbitrin Guçe për gjykim që ka bërë gjatë ndeshjes. Gjithashtu, mësohet nga burimet se pritet që kërkesa për heqjen e imunitetit të dërgohet nga Prokuroria e Përgjithshme në Kuvend dhe më pas të fillojë procedura e heqjes së imunitetit. Incidenti i deputeti i Partisë Republikane, Hajrullah Paturri, përfaqësues i zonës së Fushë-Krujës, ndodhi në fund të muajt mars, kur aigoditi dhe më pas pranoi publikisht se ishte ai që kishte rrahur gjyqtarin e ndeshjes Iliria – Albpetrol.

PROKURORIA

Nga hetimet e kryera paraprakisht, ka rezultuar se shtetasi Hajrullah Paturri, me detyrë funksional deputet i Kuvendit të Shqipërisë ka kryer elementët e veprës penale të “goditjes për shkak të detyrës” ndaj arbitrit të ndeshjes së futbollit Iliria – Albpetrol, shtetasit Shkëlqim Guçe

DEPUTETI

E rraha unë arbitrin, por ai e meritoi me atë gjykim që bëri. E vërteta është se gjyqtarin e godita unë dhe nuk është goditur nga asnjë futbollist tjetër. Asnjë futbollist mik nuk është goditur. Jemi ndarë si miq në fund të ndeshjes

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›