E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pango: Moratoriumi i skafeve skadon në 2009

 

Mazhoranca ka hedhur poshtë propozimin e Cekës për shfuqizimin e moratoriumit

TIRANË- Turistët e huaj dhe ata vendas dhe këtë verë do të jenë të privuar nga kënaqësia për të shijuar udhëtimet me skafe përgjatë bregut të detit. Qeveria është e vendosur që të zbatojë deri në fund vendimin e miratuar dy vjet më parë edhe në Kuvend për ndalimin dhe spastrimin e gjithë bregut të detit shqiptar nga mjetet motorike të transportit ujor, si skafet apo gomonet, pavarësisht nëse shërbejnë për aktivitet turistik apo për qëllime të tjera të paligjshme, siç mund të jetë trafiku i emigrantëve. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango ka konfirmuar dje vullnetin e plotë për të mbajtur në fuqi edhe për këtë vit, moratoriumin për ndalimin e skafeve në ujërat territoriale shqiptare. Gjatë prezantimit që i ka bërë projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin për Turizmin”, midis të tjerave, ai ka deklaruar se mazhoranca qeverisëse nuk ka asnjë arsye pse të ndërpresë efektet e një vendimi të tillë. Madje, ai nuk ka ngurruar ta konsiderojë këtë vendim edhe si një nga arritjet e kësaj qeverie në parandalimin e krimit të organizuar dhe trafikut të emigrantëve, ashtu si dhe në përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. I pyetur nga deputetët e majtë, se cili do të jetë qëndrimi i Ministrisë së Turizmit dhe Qeverisë për nismën ligjore të deputetit Neritan Ceka për shfuqizimin e moratoriumit për skafet, Pango, megjithëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka lënë të kuptohet se ai do të vazhdojë të mbetet në fuqi deri në fund të afatit trevjeçar. “Moratoriumi është miratuar në Kuvend për tre vjet dhe ka hyrë në fuqi dy vite më parë. Pra, ai ka dhe një vit afat, për të përfunduar në prag të sezonit të ardhshëm turistik. Unë do të thosha se ai ka qenë një veprim i duhur i kësaj qeverie, pasi kontribuoi në përmirësimin e imazhit të vendit tonë tek fqinjët tanë dhe ndikoi pozitivisht në një sërë procesesh integruese. Prandaj, është normale që ai të vazhdojë të ketë efektet e veta deri në fund”,- u shpreh Pango. Ndaj këtij qëndrimi ka reaguar deputeti socialist Ndriçim Hysa, i cili ka theksuar se ajo që i intereson çdo shtetasi shqiptar apo të huaj, që kërkon të kalojë pushimet ne bregdet, është që të ketë të gjitha kushtet, përfshi këtu edhe udhëtimet me skafe. “Është e turpshme, që edhe në vitin 2008 ne vijojmë të mbajmë në fuqi një vendim të tillë. Unë dua që moratoriumi të hiqet, pasi dua që djali im t’i kalojë pushimet në kushte sa më optimale. Nuk ka kuptim një sezon turistik që zhvillohet në bregdet, të mos ketë mjete lundruese për të shijuar bukuritë që ka vendi ynë. Kjo po na largon turistët”,- u shpreh Hysa. Por, sipas ministrit Pango, moratoriumi nuk pengon asnjë turist të huaj që të vizitojë vendin tonë, qoftë edhe me skafe. “Përsa i përket skafeve turistike dhe kroçerave, unë dua t’ju siguroj se ato vazhdojnë të vijnë në Shqipëri dhe ky moratorium nuk ndalon. Vetëm në portin e Sarandës, ditët e ardhshme janë programuar të vijnë një numër i madh kroçerash”,- theksoi ministri Pango. Ndërkohë që prej më shumë se një muaj, në komisionet parlamentare mbetet e bllokuar nisma ligjore e kreut të PAD-së, Neritan Ceka, për shfuqizimin e moratoriumit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›