Projekti i Gërdecit
Kemi ligje, por nuk i zbatojmë, kemi fonde, por nuk mund t’i përdorim, sepse nuk ka projekte. Dhe, këto të fundit i bëjnë njerëzit. Historikisht nuk kemi patur projekte, ndaj nuk kemi pse të çuditemi që fondet digjen pa u përdorur, sepse nuk ka njerëz të aftë që të bëjnë projekte. Kështu rrezikon të ndodhë edhe me Gërdecin fatkeq. Qeveria thotë se ka dhënë çfarë ka mundur për të dëmshpërblyer ata që vrau, gjymtoi dhe shkatërroi më 15 mars 2008. Ministria e Financave thotë se janë likuiduar nga Banka e Shqipërisë, 2762 persona, nga 3825 që janë identifikuar, sipas listës me të dëmtuarit nga Aksidenti Teknologjik i Gërdecit. Përfituesit kanë marrë 13 miliardë lekë të vjetra, ndërsa donatorët kanë grumbulluar në Bankën e Shqipërisë, 466 milionë lekë të vjetra. Zv/ministri i Financave, Sherefedin Shehu: “Llogaritë paraprake të rivlerësimit për bizneset dhe banesat, janë 468 milionë lekë, por duhen edhe shumë të tjera”.
Bota është gati të japë, por duhen projekte. E tha dje Ambasadori i Këshillit Europian, njëkohësisht dhe Kryetar i Sekretariatit të Donatorëve për Gërdecin, Helmut Lohan kur në takimin për donatorët, tha tekstualisht: “Asnjë ndihmë nuk do të jepet, deri në momentin kur perimetri prej 800 metrash të shpallet, publikisht dhe zyrtarisht, zonë e sigurt. Asnjë familje të mos kthehet, derisa të jepet garancia që nuk ka asnjë predhë të paplasur”. Një projekt gjermano-holandez thotë se pastrimi do të zgjasë dy vjet.
Po qeveritarët shqiptarë, çfarë thonë? Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo: “MASH, ka gati projektet për tre rikonstruksionet e tre objekteve shkollore, të dëmtuara nga ngjarja e Gërdecit, më 15 mars të këtij viti, për të cilat është kërkuar nga donatorët një fond prej 963 631 euro, si dhe 325 737 euro për pajisjen e objekteve, ndërsa nga Buxheti i Shtetit ka premtuar 228 992 euro”.
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa thotë: “Vatra e zjarrit ku ndodhi tragjedia e 15 marsit të këtij viti, vazhdon të mbetet një zonë, e cila paraqet rrezikshmëri të lartë për banorët”.
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani shprehet: “16.6 milionë euro janë për ndërtimin e banesave të dëmtuara, për familjet e viktimave dhe pagat e punëtorëve të Delijorgjit”.
Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli ka projektin e tij: “Izolimin e kraterit, hapjen e kanaleve për devijimin e ujërave të larta për të mos hyrë në zonën e kraterit, ndërtimin e një muri mbrojtës rreth zonës së kraterit për të evituar lëvizjen e tokës drejt tokave bujqësore, monitorimin e ujërave nëntokësore në shtëpitë pranë kraterit, ndalimin e përdorimit të sipërfaqeve pyjore”.
Projektin më të paparë e ka Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Zv/ministri, Stavri Ristani thotë: “Një ndër projektet e reja që parashikojmë të zbatojmë në Gërdec, është dhe ngritja e një qendre postare, së bashku me Internetin...”, tamam siç thotë Kryeministri: “Gërdeci në moshën e Internetit”!