E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, prej 6 muajsh mban në burg Petrit Deliun

08/07/2009  Vendimi për lirimin e Deliut është zbardhur, por nuk ekzekutohet nga Prokuroria

TIRANE- Skandali për mbajtjen në burg në mënyrë të padrejtë të shtetasit Petrit Deliut vazhdon të thellohet më tej, pasi mësohet se prej disa kohësh vendimi i shumicës që është dhënë më 6 shkurt të këtij viti nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, është zbardhur plotësisht. Megjithëse familjarët kanë kërkuar sqarime në Prokurorinë e Përgjithshme, ky institucion që drejtohet nga Ina Rama, vazhdon të mos e verë “ujin në zjarr”, lidhur me qëndrimin për 6 muaj me radhë në burg të qytetarit nga Berati Petrit Deliu. Gazeta “Metropol” ka arritur të sigurojë një kopje të këtij vendimi që mban përsipër numrin 6/5 të regjistrit themeltar si dhe numrin 2 të vendimit. Në shqyrtimin e çështjes kanë marrë pjesë 16 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, ku kryesuese ka qenë kryetarja e kësaj gjykate Shpresa Beçaj. Mësohet se kjo e fundit së bashku me 8 gjyqtarë të tjerë, kanë vendosur që 35-vjeçari Deliu të dënohet me 3 vjet heqje lirie, çka do të thotë që ai të lirohej si dhe të dëmshpërblehej financiarisht, pasi kishte qëndruar në qelitë e burgut për më shumë se 5 vjet. Nisur nga kjo situatë shumica e gjyqtarëve që kanë vendosur pro lirimit të Petrit Deliu, kanë zbardhur arsyet e vendimit, i cili prej kohësh ka pritur në kancelarinë e gjykatës, që të tërhiqet nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të ekzekutohet. Mirëpo kjo gjë jo vetëm për 6 muaj, por akoma dhe sot vazhdon të mos kryhet nga prokurorët e organit qendror të akuzës, duke shkelur në mënyrë të hapur parimet që kushtëzohen në nenin 251 të Kodit Penal. Pikërisht ky nen që flet për mosmarrjen e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme, është konsumuar plotësisht nga njerëzit që drejtohen nga Kryeprokurorja Ina Rama. Ata së bashku me këtë të fundit vazhdojnë të qëndrojë indiferentë ndaj këtij skandali, duke mos marrë asnjë veprim për lirimin nga burgu të 35-vjeçarit Petrit Deliu, i cili për 6 muaj me radhë vazhdon të qëndrojë pa vendim gjykate në qelitë e burgut të Kosovës që ndodhet në rrethin e Lushnjës. Ndërkohë që rasti në fjalë pritet që të denoncohet nga inspektorët e Avokatit të Popullit në Ministrinë e Drejtësisë, drejtuesit e të cilës kanë kompetencën për të kryer inspektime si dhe për të marrë masa ndëshkimore ndaj përfaqësuesve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë. Ndërkohë ai që po vuan metodat burokratike të prokurorëve është 35-vjeçari Petrit Deliu, që nga dita në ditë shpreson të kapërcejë derën e burgut të Kosovës dhe t’i bashkohet familjes së tij që banon në komunën Otllakë të Beratit. Të afërmit e Deliut herë pas herë kanë ngritur zërin ndaj kësaj padrejtësie, por për 6 muaj ata nuk kanë mundur ta zgjidhin çështjen e djalit të tyre. Këtë herë ata shpresojnë se Kryeprokurorja Ina Rama do të vërë në lëvizje njerëzit e saj, të cilët do kryejnë edhe ekzekutimin e vendimit të datës 6 shkurt 2009.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›