E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon simpoziumi “Skulptura e Parkut – Korçë 2009”

08/07/2009  Gdhendën në gurë artistë nga e gjithë bota

KORÇE- Ka përfunduar simpoziumi ndërkombëtar "Skulptura e Parkut - Korça 2009”. Ceremonia e zhvilluar me këtë rast është bërë në mjediset e lulishtes përbri pallatit të sportit “Tamara Nikolla” . Në të merrnin pjesë qindra banorë të qytetit, mes tyre skulptorët e qytetit të Korçës, por edhe krijues të tjerë të arteve të ndryshme dhe dashamirës të artit. Ky është edicioni i dytë i kësaj veprimtarie, që përfundoi me sukses. Tetë skulptorët pjesëmarrës në simpoziumin e dytë ndërkombëtar Skulptura e Parkut, këtë vit erdhën nga Britania e Madhe, Italia, Egjipti, Zelanda e Re, Gjermania, Japonia dhe Shqipëria. Për dhjetë ditë rresht ata realizuan në natyrë tek parku "Rina” vepra kryesisht abstrakte në blloqe gurësh të bardhë të sjellë nga zona e Skraparit me dimensione të paracaktuara nga artistët. Bashkia Korçë ka organizuar dje një veprimtari tek lulishtja ku qëndronin skulpturat e përfunduara. Në prani të qytetarëve korçarë tetë artistëve iu dorëzua certifikata e pjesëmarrjes në këtë simpozium. Kryetari i bashkisë i përshëndeti dhe i falënderoi për veprat që i dhuruan qytetit tonë.

Skulptori nga Britania e Madhe, Mattew Simmonds, ka realizuar në gur një qytet fantazmë, që evokon një botë magjike të lidhur me traditën artistike të qytetërimeve antike. Guliano Giussani nga Italia solli në gur një harmoni estetike mes formës dhe shpirtit, duke gërshetuar format archetipike të Mesdheut me strukturat me origjinë aziatike. Nagi Fareed nga Egjipti realizoi një formacion gjeometrik me yje, duke kombinuar gurin, i cili është simbol i përjetësisë me çelikun si metaforë e kohëve moderne.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›