E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama, takim me Nishanin: Policia Gjyqësore po zvarrit hetimet penale

• TIRANE - Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, zhvilloi dje një takim pune me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani.Objekt i takimit sipas burimeve zyrtare të akuzës qendrore ka qenë "rivendosja e marrëdhënieve mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Brendshme". Zyra e shtypit pranë Kryeprokurores lajmëroi se, Ina Rama i ka përcjellë ministrit të Brendshëm shqetësimin e saj për pengesat dhe problematikën e shfaqur nga Policia Gjyqësore në hetimin e çështjeve dhe ekzekutimin e vendimeve penale. Shefja e akuzës dhe ministri Nishani mësohet se kanë ndarë mendimin për nevojën e rregullimeve ligjore lidhur me seksionet e Policisë Gjyqësore për ndreqjen e mangësive ekzistuese. Gjatë takimit, Nishani dhe kryeprokurorja kanë biseduar edhe për luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimit ekonomik. Një takim pune Prokurorja e Përgjithshme zhvilloi dje edhe me ambasadorin amerikan në Tiranë, John Uidhers. Diplomati nga SHBA shprehu mbështetje ndaj Prokurorisë në luftën kundër krimit, duke premtuar trajnimin e prokurorëve shqiptarë në shenjë inkurajimi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.     t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›