Ina Rama, të martën pritet të përballet me mazhorancën

Kryeprokurorja Ina Rama do të përballet të martën me rezolutën që mazhoranca ka përgatitur mbi punën e institucionit që ajo drejton për vitin 2009. Burimet bëjnë të ditur se rezoluta, e cila është edhe “nota” që mazhoranca parlamentare i vendos institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme për punën e bërë, është gati dhe do të paraqitet në Kuvend pasnesër për t’iu komunikuar Ina Ramës. Kjo rezolutë vjen pas dy vitesh, për shkak se vitin e kaluar mazhoranca e shmangu hartimin e saj. Burimet bëjnë të ditur se në këtë dokument të vlerësimit që jep Parlamenti për organin e akuzës nuk do të mungojnë edhe kritikat ndaj mënyrës se si ky institucion ka punuar gjatë vitit 2009. Në këtë rezolutë, e cila pas diskutimit të martën në komision pritet të votohet ditën e enjte në Kuvend, duket se do të pasqyrohen edhe problemet për inspektimet që ky institucion ka pasur me Ministrinë e Drejtësisë, të pasqyruara edhe në raportin vjetor që Prokuroria e Përgjithshme paraqiti në Kuvend. Sipas raportit që Ina Rama dorëzoi në Kuvend, në vitin 2009 Ministria e Drejtësisë ka dërguar në Prokurorinë e Përgjithshme raportin e kontrollit të realizuar në prokurorinë e kryeqytetit gjatë vitit 2008. Në raport shpjegohet se inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë kontrolluar në këtë prokurori 4982 fashikuj për vendimet e mosfillimit të hetimeve dhe pushimeve të procedimeve penale. Nga ky volum kontrolli, nga inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë është kontestuar zgjidhja e dhënë nga prokurorët në 280 vendime mosfillimi dhe vendime pushimi të procedimeve penale. Por sipas prokurorisë, pas këtyre kontestimeve inspektorët e Prokurorisë së Përgjithshme kishin konstatuar se vetëm 47 vendime duheshin shfuqizuar dhe jo 280 sa pretendonte Ministria e Drejtësisë në raportin e saj. Kështu, në raportin e Ina Ramës theksohet se ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka dorëzuar pranë anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dy raportet e kontrollit, sipas versionit të tyre. Një tjetër çështje, e cila pritet të pasqyrohet në rezolutën e mazhorancës, është edhe ajo e akuzave që kryeinspektori i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit, Adriatik Llalla, ka bërë ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, duke e akuzuar këtë institucion se mban standarde të dyfishta në trajtimin e kallëzimeve penale të bëra ndaj zyrtarëve të niveleve të ndryshme, të cilët akuzohen për mosdeklarim apo fshehje të pasurisë. Ndërsa nga ana e saj, Prokurorja e Përgjithshme ka theksuar se gjatë 2009-s prokuroria ka hetuar 129 zyrtarë shtetërorë të akuzuar për korrupsion. Por kjo është një shifër, e cila pritet të kundërshtohet nga ana e përfaqësuesve të mazhorancës në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Nga ana tjetër, në këtë raport të dorëzuar prej Prokurorisë së Përgjithshme flitet edhe për çështjet e kriminalitetit, vjedhjen e pasurive dhe shumë probleme të tjera që lidhen me punën e këtij institucioni gjatë vitit të kaluar.
Kancelari austriak, Faimen, vlerëson progresin për vizatShqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e kritereve teknike për sa i përket zbatimit të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Kjo është deklarata që ka bërë Kancelari i Austrisë, Uerner Faimen, në një letër dërguar kryetarit të Forumit të Vlorës për Dialog Ndërkombëtar, Fate Velaj. “është i gëzueshëm fakti që tashmë Shqipëria, për sa u përket të gjitha këtyre, ka arritur të bëjë hapa të rëndësishëm, ku në veçanti janë ato në përmbushjen e kritereve dhe masave të vendosura nga Bashkimi Europian në fushën e politikave të sigurisë”, thekson në letrën e tij kreu i ekzekutivit austriak. Por, nga ana tjetër, Faimen thekson se Shqipëria ka për të përfituar liberalizimin e vizave, ndërsa ka disa detyrime të qarta, siç janë ato të sigurisë së dokumenteve personale, sigurisë së kufijve, si dhe lufta kundër korrupsionit, pastrimit të parave, kriminalitetit etj. Nga ana tjetër, Kancelari i Austrisë thekson se vendi i tij po jep ndihmesë në stabilizimin e Ballkanit Perëndimor, siç janë ato në fushat e ekonomisë, kulturës, si dhe ato të sigurisë së brendshme, në mënyrë që këto vende t’u bashkëngjiten sa më shpejt Bashkimit Europian.
Kryediplomatët e BE-së, deklaratë për integrimin e BallkanitRumania, Bullgaria dhe Greqia miratuan dje një deklaratë të përbashkët, me të cilën shprehin mbështetjen për pranimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE në vigjilje të Samitit të Sarajevës, ku do të diskutohet për lëvizjen e lirë dhe integrimin në BE. Lajmi u bë dje i ditur nga ana e ministrit të Jashtëm të Rumanisë, Teodor Basonsçi. “Ne kemi miratuar një deklaratë, duke theksuar angazhimin tonë të përbashkët në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor”, pranoi dje Basonsçi në një deklaratë për mediat pas takimit të tij me homologët e Bullgarisë dhe Greqisë. Po kështu, ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolai Mlladenov, theksoi se një letër për këtë çështje i është dërguar shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, dhe komisionerit për zgjerim, Shtefan Fyle. Sipas ministrit bullgar, në këtë letër është shprehur interesimi i përbashkët për të ringjallur debatin për zgjerim me Ballkanin Perëndimor. Kjo deklaratë vjen 10 ditë përpara se në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës të mbahet edhe Samiti BE-Ballkan, me iniciativë të ministrit të Jashtëm të Italisë, Franko Fratini. Ky samit do të mbledhë edhe krerët më të lartë të vendeve të BE-së dhe Ballkanit dhe diskutimet kryesore të këtij aktiviteti pritet të përqendrohen te Bosnja dhe Shqipëria.
#