Berisha: Dakord për materialet zgjedhore, por fletët do digjen

Kryeministri Berisha deklaroi se është dakord për materialet zgjedhore, por vetëm pasi ato të dërgohen në Arkivin Qendror të Shtetit. Ndërsa për fletët e votimit do të ndiqet procedura e djegies, pas hapjes së kutive të materialeve
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha është gati për një marrëveshje me opozitën për hapjen e kutive të dokumentacionit zgjedhor, ndërsa fletët e votimit, sipas tij, duhet të digjen. Në një prononcim për mediat, kryeministri Berisha deklaroi se ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secila forcë politike e materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv.
Pikërisht, procedura që do të ndiqet është pika e parë në të cilën dy partitë kryesore ne vend nuk bien dakord. Opozita është gati për shqyrtimin dhe verifikimin e materialit zgjedhor, por duke ia besuar këtë lëvizje një komisionit hetimor parlamentar, që duhet të ketë shumicën dhe kryesimin nga opozita. Ndërsa Partia Demokratike kërkon të marrë kohë në këtë drejtim. Ajo është gati për ta lejuar një hap të tillë, por vetëm kur dokumentet do të dorëzohen në Arkivin Qendror të Shtetit, nga e cila, opozitës për hir të së vërtetës, për shkak të procedurave të përcaktuara nga Arkivi, do t'i duhej shumë kohë për ta bërë një gjë të tillë.
Pra, përpos faktit që kryeministri Berisha ka "lëshuar pe" për shqyrtimin e dokumentacionit zgjedhor, dy partitë kryesore në vend nuk kanë rënë dakord për mënyrën që do të ndiqet. Kryeministri Berisha u shpreh i prerë në këtë drejtim, duke u shprehur se nuk ka asnjë vakum ligjor për këtë çështje. "Gjërat janë qartësisht të përcaktuara. Është shumë e rëndësishme që cilido që dëshiron të përfitojë nga hapësirat e mëdha që krijojnë ligjet e vendit, Kushtetuta e vendit, vendime të tjera. Unë kam besim se kjo do të ndodhë. Unë vlerësoj çdo përpjekje të cilitdo që të përfitojë nga ato çka garantojnë ligjet.
Ligji garanton plotësisht dhe tërësisht shqyrtimin nga secili prej jush, nga secila forcë politike të materialit zgjedhor, të arkivuar sipas rregullave në arkiv dhe çdo të drejtë tjetër, të cilën ligji i njeh gjithkujt, unë kam provuar t'u respektoj liritë dhe të drejtat e çdo njeriu. I respektoj ato me vendosmërinë më të madhe", - tha ai. Në nenin 178 të Kodit Zgjedhor pika 6 thuhet se "Me marrjen e kutive të votimit dhe fletëve të votimit të papërdorura dhe pas përfundimit të afatit për ankimet, sipas këtij Kodi, KQZ-ja hap të gjitha kutitë e votimit, nxjerr procesverbalet e votimit, si dhe tabelat dhe procesverbalin e numrit të fletëve të votimit dhe ia dërgon ato Arkivit Qendror të Shtetit në mënyrën e caktuar prej tij.
Të gjitha fletët e votimit dhe kundërfletët digjen nën mbikëqyrjen e KQZ-së". Neni sa më sipër përcakton edhe procedurën që do të ndiqet për fletët e votimit, pika më e diskutueshme ku ndahen krejtësisht dy partive e mëdha. Kryeministri Berisha teksa u shpreh dje për zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës ka lënë të kuptojë edhe gjatë negociatave se me hapjen e kutive të votimit do të digjen edhe fletët e votimit, procedurë e cila cilësohet e papranueshme nga opozita, e cila deri më tash ka dhënë një propozim për interpretimin e kësaj çështje direkt nga Komisioni i Venecias. I pyetur nga media nëse dy partitë kryesore në vend do të mund të gjenin gjuhën e përbashkët, Kryeministri Berisha u shpreh: "Unë mendoj se qeveria në përputhje me të gjithë përcaktimet kushtetuese ligjore të vendit është e gatshme për çdo kompromis, normal pa asnjë lloj hezitimi".