Afishimi i operacioneve, urdhri nuk ka mbërritur në shërbime
Dje, ditën e shtunë, administrata ishte pushim. Ndërkohë që sipas një urdhri të Ministrisë së Shëndetësisë, administrata spitalore duhet të ishte në punë dhe më konkretisht shefat e shërbimit, të cilët ditën e shtunë duhet të afishojnë listën e operacioneve. Karshi saj duhet të jenë oraret dhe kirurgët të cilët do të kryejnë ndërhyrjet. Puna duhet të ndahet në mënyrë të barabartë mes kolegësh dhe nuk duhet bërë asnjë lloj diferencimi, pavarësisht hierarkisë së vlerave, kontributit apo postit.
Urdhri sqaron në mënyrë të detajuar që duhet të ketë një ndarje pune dhe koha e veprimit është dita e shtunë. “Urdhri hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në shkresën zyrtare lëshuar pak ditë më parë nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë. Ndërsa dje, në spital ka qenë pushim dhe nuk është afishuar asnjë listë. Burime zyrtare pranë Qendrës Spitalore Universitare sqaruan se kjo nuk është për “faj” të mjekëve apo drejtuesve, por sepse institucionalisht dhe zyrtarisht shkresa ende nuk ka mbërritur në spital dhe përkatësisht në çdo shërbim.
Duke u nisur nga urdhri i ministrit të Shëndetësisë e më pas, nga urdhri i dytë i Drejtorisë Spitalore, pritet që paraprakisht të zhvillohet një mbledhje me të gjithë krerët e shërbimeve e më pas të nisë zbatimi i tyre. Përpos kësaj, zbatimi i një shkrese, urdhri, udhëzimi nis fill pas mbërritjes në çdo derë shërbimi. Zakonisht shpërndarjet e shkresave dhe udhëzimeve kryhen përmes shërbimit postar, që i duhet një kohë e caktuar për të bërë transportimin e zarfit me përmbajtjen e caktuar, firmë e vulë.
Duke nisur nga kjo javë, në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do të ketë orare të reja të personelit shëndetësor, por edhe shefave të shërbimeve. Sipas drejtorit të këtij institucioni, Ilir Dashi, këto ndryshime bëhen për fokusimin më të mirë të punës në shërbime, por edhe për zbatimin e rregulloreve të vendosura deri më tani. “Duke filluar nga kjo e hënë dhe deri ditën e shtunë, i gjithë personeli shëndetësor është i detyruar të qëndrojë në pavijone dhe shërbime nga ora 08:00 deri në 15:30. Por kjo nuk të thotë që puna e tyre përfundon këtu, edhe ditën e shtunë do të ketë mbledhje dhe organizim të punës si nga shefi i pavijonit ashtu edhe nga mjekët dhe personeli mbështetës”, deklaroi Dashi. Sipas tij, çdo ditë stafi i shërbimit organizon mbledhjen e mëngjesit në orën 8:00, nën drejtimin e shefit të shërbimit apo personit të caktuar nga ai, në rastet kur shefi mungon. Për pavijonet të cilat kanë salla të kirurgjisë, gjatë këtyre mbledhjeve do të bëhet edhe shpërndarja e operacioneve, sipas urdhrit të dalë një ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë. Për të gjithë shkelësit e këtij rregulli, drejtoria e QSUT-së ka parashikuar masa si vërejtje, gjoba, por ndëshkimet që do të jepen do të përfshijnë edhe largime nga puna, gjoba apo vërejtje. Ndërkohë që në urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se: “Lista e operacioneve kirurgjikale të planifikuara, më parë do të përgatitet dhe do të afishohet në mënyrë të dukshme për pacientët dhe familjarët e tyre. Shpërndarja e operacioneve do të bëhet në mënyrë proporcionale, duke aktivizuar të gjithë kirurgët që shërbejnë në repartet e kirurgjisë e duke eliminuar në këtë mënyrë përqendrimin e panevojshëm dhe abuziv të operacioneve kirurgjikale në pak duar”.