Bankat paralajmërojnë qeverinë për rrezikun
Dy javë më parë, në datën 6 maj, Kuvendi ktheu në ligj një propozim të qeverisë, që kaloi në mënyrë të fshehtë në Komisionin e Ekonomisë, i cili ndryshon kushtet e marrëveshjes së borxhit që qeveria po tenton të marrë në tregun ndërkombëtar përmes eurobondeve. “Ligji që ka kaluar në Parlament rrit interesin e eurobondeve, tavanin e sipërm nga 7.5 në 8.5 për qind, që do të thotë se kostoja e borxhit që duhet të paguajnë qytetarët shqiptarë në 5 vitet që vijnë rritet me 18 për qind brenda tri javësh”, u shpreh Braçe. Por rritja e interesave të borxhit që bën ligji i propozuar nga qeveria nuk është rreziku i vetëm. Vetë ligji shoqërohet nga një letër sekrete që dy bankat e huaja të mandatuara për emetimin e eurobondit i dërgojnë qeverisë shqiptare. “Top Channel” zotëron letrën në të cilën dy bankat paralajmërojnë qeverinë për rreziqe të rritura financiare deri në ekstrem. “Duke nisur nga ndryshimi pa paralajmërim i termave të çmimit tregues, që do të thotë se interesi do të vijë duke u rritur, deri te mundësia që të ketë pak ose aspak treg dytësor për një transaksion të tillë”, theksoi Braçe. I gjithë ndryshimi i kushteve të borxhit u bë në fshehtësi të plotë, aq sa letra e dy bankave, sipas Braçes, nuk u është vënë në dispozicion as deputetëve të Kuvendit. Madje edhe ligji është botuar në kopje të rezervuara, edhe pse bëhet fjalë për 400 milionë euro borxh.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga miratimi i ligjit, qeveria ende nuk po del dot në treg. Sinjal ky që paralajmëron se interesi mund të rritet edhe mbi normën 8.5 për qind ose në rastin më ekstrem, eurobondi mund të dështojë. Kjo situate ngre tashmë pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë e financave të qeverisë dhe mbajtjen nën kontroll të borxhit publik.
#