E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina, “heroina” e Luarasit



Për të do të jetë hera e parë që do të ngjisë skenën e Teatrit Kombëtar. Ina është një aktore e re. Vitin që kaloi është diplomuar, por kjo nuk e pengon atë që të marrë përsipër një përgjegjësi të madhe. Do të interpretojë rolin kryesor në shfaqjen më të re që po përgatitet në TK. “Antigona kërkon të atin...”, është vepra me dramaturgji dhe regji të Mihallaq Luarasit, ende në fazë përgatitore. Ajo do të luajë Antigonën, personazhi rreth të cilit vërtitet e gjithë ngjarja e kësaj shfaqjeje. Ina Gjonçi flet mbi rolin e saj më të ri, si eksperiencën më të vyer, prej së cilës po merr edhe ca leksione më shumë

Intervistoi: Suela Furriku

Ju jeni një aktore e re e Teatrit Kombëtar. Si erdhi propozimi për të luajtur rolin kryesor në shfaqjen me regji të Mihallaq Luarasit, e cila është ende në fazë përgatitore?

Ky është projekti i dytë që unë realizoj me një trupë profesionistësh. E para ka qenë një shfaqje e interpretuar në Shkodër me regji të Stefan Çapalikut, ndërsa ky është i dyti dhe i pari në të njëjtën kohë si projekti që po realizoj në Teatrin Kombëtar. Mënyra se si arrita të isha pjesë e kësaj shfaqjeje ishte një rastësi. Bashkë me Gjergjin, i cili është aktori që luan rolin e pushkatarit, kemi qenë në një grup në Akademinë e Arteve dhe ishte ai që më bëri të ditur edicionin e një roli kryesor për këtë shfaqje. Ai më sugjeroi që të bëja një provë për rolin kryesor, pasi regjisori atë po kërkonte në atë kohë. Ai mbeti i kënaqur dhe që atë ditë ne filluam provat.

Antigona është vajza që do të sillni në skenë. Na flisni pak mbi personazhin tuaj...

Antigona është një vajzë, e cila e ka kaluar të gjithë jetën e saj duke kërkuar eshtrat e të atit. Ajo e ka përjetuar dënimin që i është bërë atij që kur ka qenë në moshë të vogël. Është një histori, e cila i ka lënë gjurmë të thella në shpirt dhe për këtë, ajo i bën një betim vetvetes, një mision për të përmbushur, njëkohësisht edhe amanetin që i ka bërë gjyshes së saj. Ajo do të gjente eshtrat e të atit. Këtë përgjegjësi ajo e kishte marrë përsipër edhe për shkak të nënën e saj që është sëmurë, për shkak se as vëllezër nuk kishte, kështu që ajo dukej si “heroina” e kësaj shtëpie vetëm për të arritur sa më mirë këtë qëllim. Në këtë mënyrë, ajo e ka anuluar veten e saj në të gjitha drejtimet, madje edhe si femër. Ia ka dedikuar jetën e saj pikërisht kësaj pauze.

Si keni menduar ta sillni personazhin e Antigonës, më shumë të vuajtur, apo si vajza që di të përballet?

Antigona ka një forcë në vetvete dhe unë këtë lloj “Antigone” dua të sjell dhe jo një tjetër, e cila vazhdon ta vuajë humbjen e babait të saj. Jo, vuajtja është diçka që e ka kaluar në subkoshiencë tani, por do të jetë më shumë vepruese dhe e fokusuar. Nuk ka kohë për melodrama, nuk ka kohë për lot, por vetëm për të gjetur dhe kjo e ka bërë madje edhe më të pjekur në krahasim me moshataret e veta. Është një veçori që e dallon dhe kam dëshirë që ky personazh ta ketë. Ne nuk e dimë se si mund të jetë përfundimisht, pasi ne jemi ende në fazë provash dhe është herët për të folur më shumë.

Çfarë do të thotë për ju të luani në një shfaqje me regji të një prej kritikëve më të njohur shqiptarë, Mihallaq Luarasit. E shikoni i një dritë jeshile për oferta të tjera?

Të marrësh pjesë në një shfaqje me regji të Mihallaq Luarasit është diçka shumë pozitive, sepse kam mundësinë vetëm për të mësuar. Është një fillim i ri dhe regjisori po më zbulon për t’u përvetësuar gjithnjë e më shumë. Për këtë jam shumë e kënaqur.

Na treguat se për ju është hera e parë që do të luani në Teatrin Kombëtar dhe pikërisht kësaj here edhe roli kryesor. Si po e përjetoni këtë fakt?

Që në momentin që mua më besohet një rol¸ e konsideroj si një fillim të mirë, në sensin që ai që e ka një koncept për shfaqjen, që i shikon gjërat nga jashtë, dhe në kohën që më është besuar do të thotë se elementët për ta plotësuar eksitojnë tek unë. Për këtë ndihem ngrohtë. Më tej mbetet vetëm puna, por këtu ndikon edhe intuita e mirë për të formuluar atë që regjisori kërkon. Por nga një anë nuk po e kuptoj mirë se çfarë emocionesh do të kem gjatë kohës që do të jem në skenë, si hera e parë për mua, sepse këto gjëra edhe mund të të frikësojnë, për të ndikuar më pas në produktivitetin e rolit tim. Tani unë po e marr thjesht si një proces provash. Dua që t’i kuptoj të gjitha detajet, dhe mbi të gjitha të jem e ndershme me veten dhe të kënaqem.

Hapësirat për brezin e ri sot nuk ekzistojnë shumë, sidomos në dyert e TK-së. Sa e vështirë ishte për ju?

Është e vërtetë që sot nuk ka shumë hapësira për brezin e ri, por unë bashkë me Gjergjin kemi qenë pjesë e një kursi shumë të mirë, ku çdo njëri prej nesh sot janë aktorë që kanë tashmë një repertor rolesh, falë edhe pedagogëve tanë. Kemi bërë provime ose shfaqje të mira e të vlerësuara, kemi luajtur role të ndryshme deri tani, edhe pse vitin e kaluar kemi mbaruar shkollën, ndonëse jo me projekte gjigante që të bëjnë bujë absolute. Kështu që sot ne jemi në treg e njihemi në atë komunitet artistik që mund të quhet si të akademisë, teatrit etj.

Cila është kontrata juaj me regjisorin?

Kemi bërë kontratë 25 shfaqje. Pagesa është e kënaqshme, duke marrë parasysh edhe faktin që ne jemi aktorë të rinj dhe mbase për këtë mund të abuzohet, ndërkohë që në këtë rast nuk është abuzuar. Jemi të kënaqur.

A njihni raste të tilla, kur është abuzuar me pagesën e aktorëve?

Po, kam dëgjuar. Njoh aktor që u ka ndodhur të abuzohen me këtë çështje, por jo miqve të mi.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›