Shqiptari, probleme me punën, qëllon drejtuesin me kaçavidë
Policia italiane arrestoi një 52-vjeçar, i cili qëlloi disa herë me thikë një prej drejtuesve të firmës ku punonte. Ngjarja ndodhi në Borgino në komunën e Verduno-s. Në prangat e karabinierëve italianë ra emigranti shqiptar me inicialet G.S. Sipas dëshmitarëve, duket se punët nuk po ecnin mirë për 52-vjeçarin. Ai punonte në një ofiçinë në qytet, por duket se kishte edhe pak kohë për të vazhduar punë, për shkak të punës së paktë që arrinte të merrte. Nisur nga kjo, drejtuesi i firmës i kishte thënë se ai kishte edhe pak kohë për të treguar veten. Por kjo e ka acaruar më shumë shqiptarin, i cili ka marrë një kaçavidë me të cilën punonte dhe ka nisur të godasë italianin. Goditjet janë marrë në pjesën e kraharorit. Është dashur ndërhyrja e punonjësve të tjerë, për të bërë të mundur që të ndalohej sulmi. Ndaj të plagosurit është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spital. Ndërkohë që në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka kryer arrestimin e emigrantit shqiptar. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, ku akuzohet për kryerjen e veprës penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”.