E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina, si spektatorja e babait

Durrës- Fundjavë çlodhëse për kreun e akuzës shqiptare, Ina Rama. Ajo ka duartrokitur gjatë në përfundim të shfaqjes “Pak dashuri, pak dashuri”, dhënë mbrëmjen e së shtunës në qytetin e Durrësit. Emocion i dyfishtë për Ina Ramën e cila jo vetëm ka shijuar humorin durrsak por edhe ka vlerësuar punën e babait të saj, Haxhi Rama, regjizor i kësaj komedie. Kryeprokurorja ka patur një periudhë intensive punë, evidente për të gjithë shqiptarët, pasi është përballur me dy konflikte institucione mediatike me qeverinë. Ligji për Prokurorinë e Përgjithshme dhe hetimi për biznesmenin, mik të Kryeministrit, Damir Fazlliç, vazhdojnë të mbeten sfidat e Ina Ramës.   

E duke u kthyer tek weekend i saj, shohim Kryeprokuroren të ulur mes spektatorëve të tjerë në sallë, teksa po jepej premiera e varietesë së titulluar: "Pak dashuri, pak dashuri (intimitet)" me regji të Haxhi Ramës. Në këtë shfaqje kanë interpretuar aktorët e humorit Muharrem Hoxha dhe Roland Koça, ndërsa këngëtari durrsak Reshit Gjini ka kënduar disa nga këngët e repertorit të tij.

Publiku artdashës i qytetit të Durrësit ka patur rastin të ndjekë në dy netë shfaqjen që përbëhet nga tre skeçe. Në këtë premierë ka qenë i ftuar edhe aktori i teatrit "Aleksandër Moisiu" Hysen Bashhysa, i cili ka recituar disa poezi. Për formulimin muziokor të shfaqjes në fjalë kishin punuar Julian Shyti dhe Edi Tereziu. Në premierën e kësaj shfaqje kanë qenë të ftuar drejtues të pushtetit vendor, artistë, etj. Nata e dytë dhe e fundit, është sonte.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›