Inaugurohet godina e re e Fakultetit te Inxhinierise se Ndertimit
Kryeministri, Sali Berisha mori pjesë, sot paradite, në inaugurimin e godinës së re të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Kjo godinë u realizua me një investim të buxhetit të shtetit, prej rreth 185 milionë lekë, në kuadër të politikave të qeverisë për përmirësimin e vazhdueshëm të infrastrukturës në arsimin e lartë. Përmes këtij investimi, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, si pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës, pajiset me kushte dhe mjedise shumë të mira mësimore, laboratorike, salla kompjuteri e shumë ambiente të nevojshme për punën krijuese të studentëve të këtij fakulteti.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha vizitoi edhe ekspozitën e përgatitur nga ky fakultet, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, me punime shumë cilësore dhe të pasura me ide, të studentëve dhe pedagogëve mbi vizionin e tyre për Tiranën, në kuadër të planit rregullues të kryeqytetit.
Njëkohësisht shefi i qeverisë vlerësoi punimet në këtë ekspozitë, duke u shprehur se ajo dëshmon gjeninë krijuese të studentëve, pedagogëve të këtij fakulteti, imagjinatën mahnitëse të tyre në hartimin e planit rregullues që do t’u japë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë shqiptarëve një Tiranë metropol evropian.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj, Rektori i Universitetit Politeknik Jorgaq Kaçani, pedagogë të këtij universiteti, studentë etj.