E Diel, 1 Nëntor 2026

Inaugurohet objekti i ri i shkollës së “Fehmi Lladrovci”

Nga Express më 01 shtator 2011 në ora 20:30

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Buja, të enjten ka përuruar zyrtarisht objektin e ri të shkollës së mesme profesionale “Fehmi Lladrovci” në Drenas, e cila ka 20 dhoma mësimi dhe objekte tjera përcjellëse, përfshirë këtu kabinete ku do të zhvillohet puna praktike.

Me këtë rast, ministri Buja këshilloi të gjithë nxënësit dhe pedagogët e kësaj shkolle që ta ruajnë veprën e madhe të heroit Fehmi Lladrovci e njëkohësisht ta ruajnë shkollën dhe ta avancojnë dijen.

“Unë ju këshilloj të gjithë juve nxënësve dhe pedagogëve të kësaj shkolle që nëse dëshironi gjithsesi ta ruani veprën e madhe të heroit tonë të kombit, atëherë ruajeni shkollën dhe avanconi dijen tuaj. Kjo do të ishte gjëja më e mirë që do të bëni. Sot është 1 shtatori, dita e fillim të vitit të ri shkollor dhe unë kam kënaqësinë që të uroj nga zemra këtë fillim të vitit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës ka menduar që dhuratë më të mirë për nxënësit se sa një shkollë e re nuk ka dhe sot keni këtë shkollë, të cilën ju uroj nga zemra që ta gëzoni”, ka thënë ministri Buja.

Drejtori i shkollës së mesme profesionale në Drenas, Gani Krasniqi, ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe MASHT-in për punën që kanë bërë në shtimin e hapësirave dhe modernizimin e infrastrukturës shkollore, si hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe mësimit.

“Kjo është një investim ekstremist i krahasueshëm me një hap shumë të madh në arsim, ngase hapësira dhe infrastruktura shkollore është hapi i parë dhe fondamental për rritjen e shkallës në mësim, andaj falënderimi ynë është i shumëfishtë për punën që ka bërë ministria dhe qeveria në këtë profil”, ka thënë Krasniqi.

Aktualisht në shkollën e mesme profesionale “Fehmi Lladrovci” janë të regjistruar 2067 nxënës, ndërsa ndërtimi i objektit të ri të kësaj shkolle ka kushtuar 2.2 milionë euro, investim ky i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) me paratë e buxhetit të Kosovës.

Gjatë ditës ministri Buja ka vizituar edhe shkollën fillore në Shillovë të Gjilanit, ku ka parë nga afër fillimin e viti të ri shkollor, ndërsa ka bërë edhe shpërndarjen e abetares në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›