Inaugurohet sot aeroporti i Kukësit me emrin Al-Nahyan
Katër vjet pas përfundimit do të inaugurohet sot aeroporti i Kukësit, i ndërtuar me kontributin e Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjithashtu kjo vepër do të quhet tashmë me emrin e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, “Zayed Bin Sultan Al-Nahyan”. Ky ka qenë vendimi më i fundit i qeverisë së Shqipërisë për këtë aeroport, vendim që do të promovohet pikërisht sot pasdite, kur në ceremoninë e rastit është njoftuar pjesëmarrja e ministrit të Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe së bashku me një delegacion të zgjeruar, ndërsa nga ana e Tiranës do të marrë pjesë zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta, ministri i Brendshëm Lul Basha etj.
Aeroporti i Kukësit u projektua gjatë krizës së Kosovës në vitin 1999, i argumentuar si një mirënjohje për atë që bëri Kukësi në ndihmë të refugjatëve të luftës, ndërsa ka nisur së ndërtuari në vitin 2003. Ndërtimi i tij ka kushtuar rreth 22 milionë dollarë, është i kategorisë ndërkombëtare C dhe ka një kapacitet të mundshëm për 100 mijë pasagjerë në vit. Edhe pse i përfunduar, aeroporti i Kukësit asnjëherë nuk është përdorur nga kompanitë e fluturimit për pasagjerë, për shkak se një marrëveshje koncesionare e qeverisë së Shqipërisë me kompaninë gjermane që menaxhon aeroportin e Rinasit e pamundëson këtë gjë. Lidhur me këtë fakt, qeveria ka premtuar disa herë negociata me gjermanët e Rinasit, por asgjë konkrete nuk ka pasur deri tani. Në ceremoninë e sotme mësohet se do të marrin pjesë edhe autoritete të ndryshme të Kosovës, të cilët do të shfrytëzojnë rastin për të shprehur mirënjohjen edhe një herë për ndërtimin e kësaj vepre, që më së shumti do t’i hyjë në punë pikërisht Kosovës. Burime jo zyrtare thonë se do të bisedohet edhe për mundësinë e zgjerimit të aeroportit të Kukësit me një pistë tjetër dhe duke u zgjatur disa qindra metra.
#