E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romeo e Zhuljeta, muzikal në Butrint

Edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar të Butrintit do të çelet me Shekspirin, interpretuar nga e para trupë ruse që mbërrin në festival. Përveç dy “Elektrave”, për herë të parë edhe muzikali “Romeo e Zhuljeta”

Programi i edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të teatrit “Butrinti 2000” është mbyllur. Organizatorët flasin për 6 shfaqje që do të ngjiten në skenën e Butrintit në 17-23 korrik. Janë shfaqje të mëdha antike, si “Elektra”, “ëndrra e një nate vere” dhe emra të njohur regjisorësh si Alexandër Morfov, Slobodan Unkovski apo Mihai Maniutiu. Ministria e Kulturës e ka mbështetur festivalin me 9 milionë lekë të reja, 3 milionë më shumë se vitin e shkuar, por Alfred Bualioti, drejtori i festivalit, shprehet se një pjesë do të investohet për ringritjen e skenës së re. Bualioti e cilëson këtë program si më të mirin e 11 viteve.

Festivali i Butrintit mbërrin në edicionin e 11-të. Cilat do të jenë trupat e ftuara?

Edicioni i 11-të do të mbahet në datat 17-23 korrik dhe ashtu siç ndodh çdo vit, ne e kemi mbyllur tashmë programin. Sivjet janë parashikuar gjashtë trupa. Festivalin do ta çelë shfaqja “ëndrra e një nate vere” e Shekspirit, vënë nga e para trupë ruse që vjen në festivalin tonë, ajo e teatrit shtetëror “Vera Komissarzhevskaya”. Regjisori i shfaqjes është Alexandër Morfov, i njohur tashmë për publikun tonë. Ai e do shumë Butrintin, është një nga regjisorët që ka ardhur më shpesh në festival dhe ka sjellë gjithmonë shfaqje të bukura, e në të katërtin vit të pjesëmarrjes ne kemi vendosur ta shpallim President Nderi të festivalit të Butrintit. Do të jetë një shfaqje masive me muzikë live e që do të zgjasë rreth 3 orë. Teatri Kombëtar i Dramës Shqipe të Shkupit, në bashkëpunim me Teatrin e Kosovës, sjellin “Pergynd” nga Henrik Ibsen, një pjesë e vënë në skenë nga regjisori i njohur Slobodan Unkovski. Ditën e tretë, me rastin e 200-vjetorit të Shopenit dhe shpalljes nga UNESCO si viti i kompozitorit, ne kemi vendosur t’i kushtojmë një natë të veçantë në kalanë e Lëkurësit. Për këtë arsye kemi vendosur të sjellim një trupë nga Polonia, “Nikoli Teatër”, të cilët nën regjinë e Nikolai Veprev do të sjellin një shfaqje argëtuese me muzikë të Shopenit. Një nga majat e 11 edicioneve do të jetë shfaqja “Romeo e Zhuljeta”, një muzikal që vjen si bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Operetës së Budapestit dhe Teatrit Kombëtar të Operetës së Bukureshtit. është një shfaqje me përmasa të jashtëzakonshme, e ndërtuar mbi muzikë e kërcim dhe vetëm me pak shpjegime teksti. Në datat 21 dhe 22 korrik do të kemi dy “Elektra”. Ka qenë një zgjedhje e qëllimshme, ashtu siç bëmë dy-tri vjet më parë, që sollëm dy “Medea” për të parë ballafaqimin mes dy koncepteve, dy kulturave dhe dy shkollave teatrore. Kemi prurë një “Elektra” të teatrit “Radu Stanca” të Rumanisë, me regji të Mihal Miniutiut, një tekst i ndërtuar mes Sofokliut dhe Euripidit. “Elektra” tjetër do të jetë ajo e Teatrit tonë Kombëtar, me regji të Adonis Filipit, që do të mbyllë njëkohësisht një tekst shumë interesant mbi Elektrën, muzikë live, nuk ka lidhje me dekorin, do të jetë një shfaqje tingëlluese. “Elektra” e Teatrit Kombëtar që do të mbyllë festivalin. Pavarësisht nga problemet ekonomike, mendojmë se do të jetë një nga programet më të bukura.

Këtë vit jeni ndalur në Europë e kryesisht në atë Lindore. Një zgjedhje e menduar e tillë, apo e diktuar nga rrethanat?

Gjatë viteve të shkuara ne kemi pasur trupa nga vende të ndryshme të botës. Jemi brenda familjes sonë ballkanike e europiane dhe në fakt ky duhet të ishte një synim, sepse sado që jemi pranë, komunikojmë me njëri-tjetrin, pak e njohim teatrin që kanë vendet e Ballkanit, të Europës Qendrore apo Lindore. Por kemi qenë të kushtëzuar edhe nga ana ekonomike. Kishim menduar të sillnim 9 apo 10 trupa, por me buxhetin prej 90 milionë lekësh akorduar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (30 milionë të vjetra më shumë se vjet), vendosëm të sillnim shfaqjet më përfaqësuese dhe janë katër emra regjisorësh të mëdhenj.

Edicioni i 11-të duket se do të ketë mjaft antikitet...

Në konceptin regjisorial nuk janë vepra që qëndrojnë në antikitet dhe nuk i flasin kohës. Butrinti është shtëpia e antikitetit dhe shfaqje të tilla qëndrojnë shumë mirë, gjithnjë duke pasur parasysh që të zgjedhim ato që na duken më të përshtatshme me gjuhën e teatrit. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi pasur parasysh krijimtari të autorëve të sotëm që qëndrojnë shumë mirë në Butrint.

Dy prej shfaqjeve, më shumë se teatrore, janë muzikore. është një mënyrë për të pasuruar programin e për të qenë më afër tendencave të kohës?

Sigurisht, teatri në përgjithësi është bërë i shumëformshëm, i ndryshëm, një teatër që duhet akoma më pranë shekullit të ri. Në një teatër, aktori sot, përveçse aktron, kërcen, këndon dhe luan instrumente, e nuk ka mbetur vetëm në dialogë të mërzitshëm. Festivali i Butrintit është një dritare për të thënë se çfarë duhet të bëjmë ne me teatrin tonë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›