E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sky Petrolium, tjetër kompani për puset e naftës shqiptare

Projekti Ministria e Ekonomisë nënshkruan marrëveshjen me amerikanët. Synohen 900 milionë fuçi

Tjetër kompani i shtohet listës së gjatë të shoqërive private që kërkojnë naftë dhe gaz në territoret shqiptare. Përfituesi i radhës që mori leje nga Ministria e Ekonomisë dhe Tregtisë ishin amerikanët e “Sky Petrolium”, që nënshkruan dje marrëveshjen me ministrin Prifti dhe shefin e burimeve natyrore.
Marrëveshja parashikon që nga ana e kompanisë të zhvillohen kërkime në tri blloqe të vendit tonë, në bllokun 4 dhe 5, si dhe në zonën e Dumresë. Në fjalën e tij, Prifti shprehu kënaqësinë e për nënshkrimin e marrëveshjes me “Sky Petroleum”, pasi kompania do të kërkojë naftë dhe gaz në një zonë të Shqipërisë, për të cilën më parë janë hasur vështirësi në tërheqjen e investimeve për kërkime.

“Investimi i kompanisë për kërkimin e naftës dhe të gazit në bllokun 4 e 5 dhe në zonën e Dumresë, është rreth 7-8 milionë dollarë, ndërsa parashikimet flasin për një potencial naftëmbajtës deri në 900 milionë fuçi”, tha ministri, nisur nga parashikimet paraprake.

Kjo do të konfirmohet nga kërkimet, nga përpunimi i të dhënave sizmike dydimensionale që ekzistojnë, por dhe nga shpimet e reja, që në bazë të kësaj marrëveshje do të bëhen nga kompania amerikane “Sky Petroleum”. Me këtë marrëveshje mbyllet eksplorimi i një zone shumë të rëndësishme të vendit tonë, të paktën për aq vite sa parashikon marrëveshja, që mendohet si një zonë me potencial të madh naftë dhe gazmbajtëse.

Në vitin e parë kompania do të bëjë përpunimin e të dhënave sizmike dydimensionale që ne kemi sot në arkivat tona, rishikimin dhe përpunimin e tyre. Në vitet e tjera ka një grafikë të detajuar të investime dhe kërkimeve që do të bëhen në këto zona. Nga ana e tij, përfaqësuesi i kompanisë, Karim Jabanputra, tha se eksperiencat e mëparshme të kompanisë kanë treguar që procese të tilla kanë qenë shumë të gjata, ndërkohë që në rastin e marrëveshjes me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në Shqipëri ky proces ka qenë shumë i shpejtë.

“Sipas kontratës, brenda tre muajsh kompania duhet të fillojë punimet dhe pas analizimit të të dhënave, në fillim të vitit tjetër do të fillojë puna konkrete në blloqe”, tha Jabanputra.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›