Inceneratorët, Tabaku akuza deputetëve demokratë: Zgjodhën të bashkohen me Edi Ramën!

Tabaku akuza deputetëve demokratë: Zgjodhën të bashkohen me Edi Ramën!
Pasi raporti i opozitës për inceneratorët u rrëzua në parlament, nënkryetarja e PD-së, Tabaku njoftoi depozitimin në SPAK të një kallëzimi për 50 persona, që i akuzon si grup i strukturuar kriminal i aferës së inceneratorëve. Tabaku shprehu keqardhje për votën kundër të deputetëve të opozitës, që mbështesin ish kryeministrin, Sali Berisha. Ajo tha se në asnjë mënyrë nuk duhej bashkohej vota me kryeministrin Edi Rama, të cilin e cilësoi si kundërshtarin politik të PD.
“Ju e keni parë se pavarësisht ndarjeve, kemi qenë me një mendje për opozitën në këtë komision. I kam dhënë hapësirë maksimale çdo kolegu, për të dëgjuar mendimin e kujtdo. Mendojmë që kundërshtari i vetëm i PD, është vetëm Edi Rama”.
“Ndjej keqardhje kur deputetë të PD bashkojnë votën me Edi Ramën ndaj korruspionit më të madh të këtyre 30 viteve. Sjellja më normale duhet të kishte qenë që nuk e voton, por jo që të votojë kundër. Nuk gjej asnjë arsye të shëndetshme në botë për të bashkuar votat me Edi Ramën kundër një afere korruptive. Në këtë proces kemi pasur shumë pengesa dhe duhet të kishim qenë të gjithë në një zë. Unë po e dorëzoj sot në SPAK në emër të PD. Nuk dua të ankohem. Edhe sot e kësaj dite besoj se duhet të ishim bashkë në miratimin e këtij raporti” tha zonja Tabaku.
“Ndjej keqardhje që disa deputetë nuk ishin në sallë për të votuar. Ata që e kanë votuar kundër shprehem qartë dhe fort se si ndihem. Ka pasur mbështetje të madhe nga ana e deputetëve në PD. Kjo nuk e zbeh punën. Kam marrë mesazhe pa fund që ky ka qenë komisioni më efektiv në këto 30 vite. S’dua të marr merita, meritën e merr PD. Raporti përfundoi me faktin që vërtetohet vjedhja e 430 mln eurove. Raporti ka qenë duke u redaktuar nga stafi deri në momentin e fundit. Nuk besoj se ka në këtë raport asgjë që bie ndesh me anëtarët e këtij komisioni” tha zonja Tabaku.
Raporti përfundimtar i PD-së pë inceneratorët mori 84 vota kundër dhe 27 vota pro, ndërsa ai i mazhorancës mori 76 vota pro dhe 34 vota kundër.